Pas 20 orëve bllokim nga moti i keq, pala greke ka lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve në pikën kufitare të Kapshticës. Megjithë normalizimin e situatës, dhjetëra automjete presin për të kryer procedurat doganore. Radhës së gjatë i janë shtuar edhe mjetet e vogla duke e mbingarkuar doganën, si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Në pikën kufitare janë hapur 8 sportele nga pala shqiptare dhe 3 nga policia kufitare greke, për të përballuar fluksin e mjeteve që rritet ore pas ore. Pezullimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve, paralizoi për disa orë edhe shkëmbimet tregtare mes 2 vendeve, ndërsa detyroi udhëtarët të përdornin pika të tjera doganore, për të udhëtuar drejt Greqisë.

Qarqet e Korçës dhe Elbasanit ishin më të goditura nga reshjet e dëborës të fundjavës. Problematike situata ishte në zonat e thella malore ndërsa akset kombëtare qëndruan të lira. Edhe verilindja e vendit është përfshirë nga reshjet e dëborës, me një trashësi që ka arritur rreth 8 cm. Deri tani nuk raportohen probleme, por këshillohet të bëhet kujdes gjatë qarkullimit në rrugë.

Tv Klan