Brenda fundjavës votohet qeveria teknike

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pas nënshkrimit të dorëheqjes e ka dorëzuar personalisht atë në Kuvend.

Kovaçevski pati edhe një takim me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, i cili do të jetë kryeministri i qeverisë teknike.

Në deklaratën e tij të fundit të dhënë për mediat Kovaçevski tha se Talat Xhaferi është politikan me përvojë të madhe.

Kovaçevski është i bindur se ai do të jetë në krye të qeverisë edhe pas zgjedhjeve të 8 Majit.

“Më 9 Maj përsëri unë do ta udhëheq qeverinë, sikurse edhe këtë shumicë parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësim të plotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, tha ai.

Pas dorëheqjes së kryeministrit, si procedurë duhet të njoftohet Presidenti i shtetit dhe në seancën e së premtes, do të konstatohet dorëheqja e Qeverisë dhe kryeparlamentarit, në mënyrë që gjatë fundjavës të përfundojnë procedurat për zgjedhjen e qeverisë teknike. Për herë të parë në krye të saj do të jetë një shqiptar.

Tv Klan