Ish-ministri: Marjuana, histori varfërie

Në një rrëfim ekskluziv për një dokumentar investigativ italian, me titullin ‘I Narcos Albanesi -Trafikantet shqiptarë të drogës’, ish-ministri Saimir Tahiri ka folur pak përpara se të arrestohej për akuzat që e lidhnin atë me trafikun e drogës.

Për të treguar se ishte në luftë me kriminalitetin kujton se i vunë tritol farmacisë së babait të tij dhe shpjegon se kultivimi i kanabisit në Shqipëri ishte një çështje sociale, pasojë e varfërisë dhe jo çështje kriminale.

 “Më vunë bombat. Në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë që t’i vendosen bombat një ministri. Këtu marijuana nuk është histori kriminelësh, por varfërie”.

Thotë se nuk ka pasur lidhje me trafikun e drogës, pasi në të kundërt ai nuk do kërkonte dyfishim të monitorimeve për kultivim kanabisi nga Guarda Di Finanza.

“Po sikur të isha i korruptuar? Unë nuk kam ardhur në Itali për të kërkuar nga Guardia di Finanza të dyfishojë fluturimet ajrore për të monitoruar territorin. U kërkova të gjitha vendeve europiane të na ndihmojnë të luftojmë trafikun e drogës”.

Në dokumentarin që do të publikohet në “Nove Tv” ish-ministri Tahiri rrëfen gjithashtu se si trafikantët i paguanin punëtorët e tyre deri 5 mijë euro në vit, për të kultivuar kanabisin. 

Saimir Tahiri ishte në krye të Ministrisë së Brendshme deri në Mars të 2017, ndërsa në Tetor po të këtij viti ndaj u ngritën akuza se ka ndihmuar grupin e Habiljave në trafikun e drogës.

SPAK e akuzoi zyrtarisht, por Gjykata e dënoi për shpërdorim detyre në Shkurt të këtij viti me 3 vjet e 4 muaj burg. Ai po e vuan dënimin në burgun e Lushnjes.

Tv Klan