ISHP: Presim një valë tjetër në Vjeshtë, por jo si në Shkurt

Rritja e rasteve ditore me koronavirus nuk është aspak surprizë për ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Epidemiologia Rovena Daja bën me dije se shtimi i infektimeve pritej, që në momentin që Europa filloi të ketë rritje.

Ajo nuk përjashton faktin që numrat e lartë të infektimeve të jenë pasojë edhe e pranisë së variantit Delta edhe pse ende nuk ka një konfirmim nga laboratorët e referencës.

“Përderisa në Kosovë, Greqi, Maqedoni ka raste, edhe në Shqipëri ne besojmë se mund të ketë hyrë po akoma nuk kemi një dokument zyrtar. Por fakti që kanë filluar të rriten dhe fakti që si virus paraqitet në një formë të lehtë, në spital kemi pak të shtruar, tregon që mund të ketë ardhur por paraqitet me forma të lehta”.

Shumica e rasteve të reja me Covid janë të grupmoshës 20 – 44 vjec, por nuk përjashtohen dhe rastet mbi 65 vjeç të cilët nuk janë vaksinuar.

“Janë të pavaksinuar, janë të painfektuar më herët. Ndaj ne kemi ditët e hapura dhe apelojmë për vaksinë”.

Vjeshta pritet të sjellë një tjetër valë infektimesh me koronavirus, por ekspertët thonë se ajo nuk do t’i ngjasojë asaj që përjetuam në Dimrin e shkuar.

“Ne presim një valë por jo me intensitetin e muajit Shkurt me mbi 1 mijë persona në ditë për faktin e thjeshtë se në Shqipëri kemi shumë persona që janë infektuar dhe kanë krijuar imunitet, sipas të dhënave, një që e ka kaluar ka imunitet për 2 vjet. Vaksinimi vazhdon dhe këto faktorë do bien që të mos kemi të njëjtën valë si në Shkurt”.

Ekspertët apelojnë për vaksinim, tek të gjithë personat mbi 18 vjeç si mundësia e vetme për t’u mbrojtur nga virusi pandemik.

Tv Klan