Zhvillohet në Tiranë aktiviteti mbarëkombëtar “Shqipja në Diasporë”, i cili synon nxitjen e dialogut ndërshtetëror për hartimin e politikave bashkëkohore për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare jashtë vendit. Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se sfida kryesore është ruajtja e gjuhës sidomos tek fëmijët që lindin në vende të ndryshme të botës.

“Jemi përballë sfidave që sjell globalizimi, rrjetet sociale, zhvillimi i teknologjisë, emigracioni, pasi shumë shqiptarë lindin dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës, mësojnë në shkolla të huaja duke bërë të vështirë në ato vende të ruajtjen e gjuhës shqipe. Në katër vite kemi dërguar në diasporë 40 mijë tekste në 22 vende të botës, kjo shifër duhet rritur”.

Ministrja tha se duhet të forcojmë dialogun me Kosovën dhe të gjejmë mënyra se si të punojmë së bashku për ta ruajtur dhe forcuar gjuhën shqipe.

“Tashmë me Kosovën jemi një, për sa i takon hartimit të politikave dhe përpjekjeve. Për të forcuar gjuhën shqipe kryesore është rritja e cilësisë dhe standardeve në sektorin e arsimit në Kuvendin e Shqipërisë ne miratuam marrëveshjen e përbashkët me Kosovën për Enciklopedinë Shqiptare, e cila do të jetë një punë e përbashkët shtrirë në 5 vite ku do të angazhohen ekspertët tanë më të mirë”.

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare është një sfidë, duke patur parasysh të dhënat e publikuara nga Forbes, që shqiptarët përbëjnë diasporën e tretë më të madhe në botë në raport me popullsinë, me rreth 30% të të lindurve në vend që tani jetojnë jashtë kufijve të saj.

Klan News