Seanca e pasdites së sotme do të mbyllë dhe këtë sesion parlamentar. Vendimi është marrë nga konferenca e kryetarëve, për të lejuar që deputetët e parlamentit shqiptarë të pushojnë 3 ditë më shumë seç ishte parashikuar.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, thotë për televizionin Klan, se në seancën e sotme do të kalojnë një sërë ligjesh të rëndësishme.

Astrit Patozi: “Janë sigurisht ndryshimet në qeveri dhe dekretet e presidentit për anëtarët e gjykatës së Lartë si dhe vendi vakant i KLD dhe një kontratë me Sazhemin me firmën që ka fituar të drejtën për kartat e ID dhe pasaportat digjitale.”

Patozi mohon të ketë një vendim politik nga grupi parlamentar i mazhorancës për 6 dekretet e presidentit për anëtarë të gjykatës së Lartë, përsa kohë që votimi është fshehtë.

Astrit Patozi: “Për dekretet e presidentit votimi është  fshehtë dhe ne vullnetin tonë do ta shprehim në seancë duke votuar fshehurazi.”

Kodi elektoral si dhe ligji aq i debatuar i dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shteti, janë të destinuar të kalojnë për miratim në sesionin e vjeshtës, pavarësisht impenjimit që kanë treguar herë pas herë forcat politike për këto dy nisma ligjore kaq të rëndësishme.

Patozi sqaron arsyet e kësaj shtyrje që është një vendim konsensual sipas tij me PS.

Astrit Patozi: “Nuk është hequr dorë nga nisma për ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë ose i ashtuquajturi ligji i dosjeve. Por është rënë dakord nga palët, për ti dhënë më shumë kohë njëri-tjetrit dhe më shumë kohë debatit për këtë çështje dhe besoj që në ditët e para të shtatorit kjo çështje do të ezaurohet. Për kodin zgjedhor ka qenë pamundësia teknike dhe jo mungesë e vullnetit politik që na shtyn ne që ti japim më shumë kohë komisionit për kodin elektoral dhe besoj që sot në seancë do të vendoset shtyrja e mandatit të këtij komisioni dhe ne besojmë që brenda muajit shtator ai do të mbarojë misionin e tij.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka