Zgjerohet lista e njerëzve afër presidentit rus Vladimir Putin, të cilët pritet të përballen me sanksionet amerikane. Deri tani Uashingtoni konfirmon 210 emra në total, mes tyre edhe miliarderi Roman Abramoviç, i njohur në Europë ndër të tjera edhe si zotërues i ekipit britanik të futbollit Çelsi.

“Lista Putin” përfshin po ashtu edhe kryeministrin Dimitri Medvedjev, ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shojgu, si dhe zëdhënësin e Kremlinit, Dimitri Peskov, etj.

Rusët e përfshirë aty akuzohen se kanë ushtruar ndikim në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin tha se lista e hartuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit nuk është gjë tjetër veçse një shpallje publike e armiqve të Shteteve të Bashkuara.

Aty nuk specifikohen se me çfarë lloj sanksionesh do të përballen personat e përfshirë, por shumë shtetas rusë u janë nënshtruar në të kaluarën sanksioneve të ashpra financiare si ngrirje të aseteve dhe llogarive bankare e deri në ndalimin e hyrjes në territorin amerikan.

Klan Plus