Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kinema “17 Nëntori” një nga godinat objekt kulture është shembur për të ngritur në truallin e saj një godinë shumëkatëshe. Në Bashkinë e Tiranës është bërë sqarimi, se kjo kinema nuk ka qenë asnjëherë objekt me status monument kulture dhe se vetëm Instituti i Monumenteve ka të drejtë të japë këtë status mbrojtës.

Bashkia Tiranë:- “Vendimi për ndërtimin e një kompleksi të ri, në zonën ku gjendej kinemaja është diskutuar dhe marrë nga KRT e Tiranës, konform kompetencave që ka ky organ kolegjial, i përbërë prej 21 personash që përfaqësojnë disa institucione të shtetit shqiptar. Theksojmë se gjatë tranzicionit, kinema “17 Nëntori” iu kthye pronarëve të vjetër, të cilët për gati 12 vjet i kthyen mjediset e kësaj kinemaje në salla bixhozi dhe magazinim mallrash shumice, duke i ndryshuar jo vetëm destinacionin, por edhe tërë strukturën e vjetër nga e cila nuk kishte mbetur asgjë përveç fasadës”.

Por Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka lejuar prishjen e godinës, duke vënë si kusht ribërjen e fasadës në modelin e kolonave të vjetra të godinës kinema e ndërtuar në fillim të shekullit të XX./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj