82-vjeçari nga Podujeva vuante edhe nga sëmundje të tjera

Është shënuar viktima e parë nga koronavirusi në Kosovë. 82-vjeçari nga Dumnica e Podujevës ishte pranuar në Klinikën Infektive më datën 16 të këtij muaji në ditën e gjashtë të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive.

Sipas Klinikës Infektive, pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike.

Rasti në fjalë është kontakt nga djali dhe vajza e tij pozitive. 

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar sot nga qeveria aprovimin e masave shtesë pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Vetëm ditën e djeshme janë identifikuar 7 raste me COVID-19.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, këto masa pritet të aprovohen sot në mbledhjen e qeverisë e cila tashmë po mbahet në distancë.

Masat shtesë kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, respektivisht kufizimin e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve në orare të caktuara në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Tv Klan