Të gjithë fermerët të cilët shesin tokën bujqësore për aktivitet bujqësor dhe jo për tu kthyer më pas në truall do të jenë të përjashtuar nga tatimi mbi fitimin. Po ashtu taksa e tatim fitimit nuk do të paguhet as në momentin që bëhet kalimi i pasurisë brenda brezit të parë burrë, grua, fëmijë në momentin që toka është fituar me ligjin 7501.

Diskutimi nen për nen i paketës fiskale solli një tjetër lehtësi për sektorin e agroturizmit, përveç prodhimeve të saj të cilat do të kenë një TVSH të reduktuar 6%, ferma që do të ketë edhe struktura akomoduese do të përfitojë tatim mbi vlerën e shtuar po 6% edhe për mallrat që merr furnizim. Kërkesa për të ndryshuar këtë nen erdhi nga mazhoranca. Ndërsa komisioni i kërkoi kreut të Financave nëse është bërë gati paketa e akteve nënligjore për të futur në zbatim në Janar të 2019-ës ligjin e shtyrë të lojërave të fatit.

Paketa fiskale pritet të miratohet në Kuvend ditën e enjte. Me këto ndryshime tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro nga 8 deri në 14 milionë Lekë, bëhet 5% nga 15 që është sot.

Po ashtu ndryshimet heqin tatimin mbi vlerën e shtuar për makineritë e pajisjet në burimet e energjisë së rinovueshme dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor.  Ndërsa sektori i agroturizimit do të përjashtohet nga taksa e infrastrukturës dhe do të përfitojë zbritje të TVSH-së dhe tatim mbi fitimin.

Tv Klan