Rama: Dozat e para nga një shtet mik i BE-së

Najada Çomo është mjekja e parë që vaksionohet me vaksinën anticovid në Shqipëri.

Mes 50 bluzave të bardha që u përzgjodhën për të çelur fushatën e vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh”, u përfshi edhe Kryeministri Rama që ashtu si pjesa më e madhe e kryetarëve të shteteve apo qeverive botërore kanë hedhur personalisht publikisht këtë hap për të ulur mosbesimin dhe skepticizmin që e ka shoqëruar vaksinën anticovid.

“Por, pikërisht sepse janë këto teoritë e konspiracionit dhe pikërisht sepse vaksina është e këshillueshme dhe dëshiroj që askush të mos e refuzojë nga frika se do t’i fusin çipin apo se koha për të ulur numrin e pensionistëve në botë, do të jenë sot këtu për t’a bërë”.

Rreth 900 dozat e para nga afro 9000 të tilla kanë ardhur si dhuratë nga një shtet i Bashkimit Europian, emri nuk bëhet i ditur dhe jo si pjesë e sasisë së kontraktuar nga kompania Pfizer që do të mbërrijnë në Tiranë në javën e 3 të Janarit. 

“Vendi që na i ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet. Edhe 3 vendet e tjera me të cilat ne jemi shumë afër, kanë kërkuar konfidencialitet. Mund t’ju them që jo, nuk është Greqia.”

Kryeministri pa modesti në konferencën për shtyp në ‘Air Albania’ ku do të kryhet procesi i vaksinimit, thotë se meritat në arritjen e vaksinave në vend janë të tijat personale.

“Patjetër është fakt që në një garë “lypsash” për vendin e tyre, unë jam pretendent për vendin e parë.”

Kritikat për BE-në dhe përjashtimin e Ballkanit nga skema e shpërndarjes së vaksinave Rama i përsërit.

“Është jo vetëm e papranueshme moralisht dhe politikisht, por dhe e pajustifikueshme logjikisht.”

Vaksina do të jetë falas jo e detyrueshme dhe do të nisë nga bluzat e bardha.

“Fillojmë sot me mjekët dhe infermierët e dy spitaleve të parë dhe më pas shtrihemi dhe gjatë ditëve në spitalet e tjera. Numri i personelit tonë shëndetësor është rreth 23 mijë sëbashku me personelin mbështetës.”

Pas mjekëve dhe uniformave blu në listën prioritare të fushatës së vaksinimit do të jenë moshat nga e treta për të vazhduar me të gjithë popullatën.

Tv Klan