Teksa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e rihapjes së plotë të ekonomisë në SHBA, rastet me Covid-19 janë shtuar edhe brenda Shtëpisë së Bardhë.

Dy punonjës të stafit të Trump kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Fundjavën e kaluar mediat publikuan lajmin se sekretarja e shtypit e nënpresidentin Mike Pence rezultoi mbartëse e virusit dhe Mike u vendos në karantinë.

Por një gjë të tillë Trump e ka mohuar, pasi Pence po ndjek këshillat e mjekëve dhe nuk po qëndron në izolim. Ndërkohë  Anthony Fauci, eksperti kryesor i Shtëpisë së Bardhë ndodhet në vetëizolim, edhe pse është testuar negativ.

Gjithashtu edhe shefi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, Stephen Hahn dhe drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Robert Redfield, ndodhen gjithashtu në vetëizolim për dy javë, pasi kanë pasur kontakte me një person të infektuar.

Duke u nisur nga ky fakt stafi i Shtëpisë së Bardhë është urdhëruar të vendosë maska në fytyrë. Ata duhet të mbulojnë fytyrën në çdo kohë, përveç rasteve kur janë të ulur në tavolinë apo në distancë të mjaftueshme fizike.

Ndërkaq gjatë një konference për shtyp, Donald Trump është përplasur edhe me një gazetare të  CBS News, Weijia Jiang, teksa ajo e pyeti presidentin se pse e konsideron si një luftë Covid-19, ndërkohë që amerikanët vazhdojnë të vdesin.

Për të anashkaluar pyetjen Trump i tha gazetares që këtë pyetje të ndyrë t’ia bënte Kinës. Kjo nuk është hera e parë që  përplaset me gazetarët teksa ata e pyesin rreth vendimeve që ai po merr për të rihapur Amerikën.

Aktualisht SHBA-ja renditet në vend të parë teksa numëron mbi 1.3 milionë të prekur dhe mbi 81 mijë vdekje. New York është shteti më i goditur i SHBA me gati 27 mijë të vdekur.

Klan Plus