Tirana, Durrësi dhe Vlora qarqet me më shumë të shtruar në spitalet Covid

Rritja e numrit të infektimeve ditore të COVID-19, ka shtuar edhe të shtruarit në spital. Nga mbi 130 pacientë të shtruar, rreth 20 prej tyre janë në spitalin Covid 3.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 95% e të shtuarve janë persona të pavaksinuar ndaj COVID-19, ndërkohë që vetëm 7 pacientë kanë marrë vaksinën anti-Covid.

Me rritjen e numrit të pacientëve por edhe për shkak të ditëve të pushimit pasi veç fundjavës edhe e hëna është ditë pushimi, familjarët ankohen se nuk po marrin informacion për të afërmit e tyre.

Gazetarja: Prej sa ditësh është i shtruar babai juaj në spital?

Qytetari: Babai është i shtruar prej 3 ditësh dhe ne nuk kemi marrë asnjë informacion. Unë dhe vëllai im kemi 3 ditë që kemi ardhur nga jashtë shtetit, 3 ditë këtu dhe s’kemi asnjë përgjigje.

Gazetarja: Çfarë moshe ka?

Qytetari: 56 vjeç.

Gazetarja: Ka qenë i vaksinuar?

Qytetari: Më duket se jo.

Veç këtij rasti ka edhe familjarët të tjerë të cilët kërkojnë të dhëna për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre të shtruar në spitalin Covid 3.

Pjesa më e madhe e të shtruarve janë nga qarku i Tiranës. Vetëm në 24 orët e fundit nga ky qark janë shtuar 9 pacientë duke e çuar shifrën totale në 45. Tirana veçse kryeson listën, kryeson edhe me rastet aktive pasi ka në total rreth 4500 raste. Më pas renditen qytetet bregdetare si Durrësi me 17 të shtruar dhe Vlora me 13 të tillë.

 Rritje të të shtruarve ka patur edhe në qarkun e Fierit pasi ka 12 pacientë në infektiv dhe Elbasani me 11 të tillë. Shkodra, edhe pse renditet pas Tiranës sa i përket të infektuarve aktivë, me mbi 2 mijë raste aktive, ka vetëm 5 të shtruar në spitalet Covid, duke u renditur pas Lezhës, Beratit dhe Korçës. Këto tre qarqe edhe pse kanë më pak raste aktive se Shkodra, kanë më tepër të shtruar.

Klan News