Xhaçka: Ta shfrytëzojmë më së miri këtë mundësi të artë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka shtyrë deri më 30 Qershor afatin e pranimit të aplikimeve për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e ekipit që do përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në një dalje të posaçme për mediat, Ministrja Olta Xhaçka tha se shkak për këtë vendim është bërë interesi i madh që kanë shfaqur qytetarët për të kontribuar në këtë mision.

“Gjatë këtyre javëve ka pasur me dhjetëra e dhjetëra aplikime. Shqiptarë e shqiptare nga e gjithë bota, që me shumë përkushtim e dashuri kanë kërkuar të kontribuojnë me talentin dhe eksperiencën e tyre duke ju bashkuar ekipit tonë. Edhe pse ideja fillestare ishte që këto aplikime të mbylleshin në datë 15 Qershor, kemi pasur gjatë këtyre ditëve me dhjetëra kërkesa për ta shtyrë afatin edhe për një kohë të shkurtër”.

Më tej ajo shton se cilësia e këtij ekipi do jetë çelësi i një përfaqësimi dinjitoz për Shqipërinë në një pozicion historik për të.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë më së miri këtë mundësi të artë, për të konsoliduar imazhin e Shqipërisë si një aktor serioz, si një vend i vogël por me ide e vizion, me njerëz të aftë e të talentuar që kanë çfarë të kontribuojnë në adresimin e sfidave e problemeve e të cilat përballet bota”.

Pas 65 vjetësh anëtarësim në OKB, Shqipëria u zgjodh për herë të parë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit për një mandat 2 vjeçar.

Tv Klan