Gjykata e Posaçme dëgjoi këtë të mërkurë mbrojtjen e Alfred Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, në procesin ku ai po gjykohet për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Nëpërmjet avokatit, Beleri pretendoi se hetimi ndaj tij nisi në mënyrë të jashtëligjshme dhe se vëzhgimet dhe përgjimet që u kryen ishin pa urdhër nga prokurori, duke ngritur pretendimet për pavlefshmërinë e tyre.

Gjatë seancës, avokati i Belerit gjithashtu tha se bashkëpunëtori i Prokurorisë, Arsen Rama, është i pabesueshëm dhe veprimet e kryera prej tij janë të paligjshme pasi nuk janë dokumentuar nga hetuesit.

“Ai katër ditë prej datës 8 deri në datën 12 nuk ka qenë në Vlorë ku pretendohet. Kjo dëshmon se pasi është arrestuar zoti Beleri kanë filluar të rregullojnë të gjitha letrat. Prokuroria nuk na ka dhënë prova, këtë provuam sot”, tha avokati.

Në përfundim, avokati i tij kërkoi pafajësi për Belerin dhe të bashkëpandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi. Gjykata e Posaçme vendosi të tërhiqet për të dëgjuar fjalën e vetë Belerit, në 5 Mars ora 13:00.

Më herët SPAK ka kërkuar nga gjykata ta shpallë fajtor Alfred Belerin për blerje të votave në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe ta dënojë atë me 2 vite e 6 muaj burg. 2 vite burg u kërkuan për Pandeli Kokaveshin, për të njëjtën akuzë.

Tv Klan