Klan News ka siguruar vendimin e Gjykatës së Posaçme për 6 të arrestuarit për organizimin e kultivimin e kanabisit në 4 sera në Rërëz të Beratit të cilat u zbuluan nga policia në Nëntor të 2022. 9 të dyshuarit janë zbuluar pas kryerjes së akteksperimtit teknik të celularëve të përsonave që u arrestuan në Nëntor të 2022 në 4 serat.

Hetuesit kanë zbuluar komunikimet në aplikacionet Whatsup dhe signal. Si organizator në bazë të hetimeve të deritanishme rezulton që të jetë Satedin Hasaj. Ndërkohë që në dokumenta thuhet se Hasaj kishte njëri të besuar Blerim Xhekën që të merrej me të gjithë mbarvajten e punës në 4 serat ku ishte kultivuar kanabisi. 

Po ashtu të dyshuarit kanë përdorur edhe disa nofka për të mos u identifikuar si  “Flaka OTR”, “daja”, “ rrushi “, “samo” “TBA”, “Sadii”, “ Sxx”. Në dosje thuhet se:

“Sadetin Hasaj e ka njoftuar Jurgen Ujkajn që do dërgoje persona të tjerë tek serat, madje edhe armatim (hekura), me qëllim sigurimin e vendit dhe lëndës narkotike pasi “mund ta marrin të tjerë”. Komunikojnë për sasitë e lëndës narkotike të grumbulluar dhe për proceset e punes në lidhje me to, mbledhja, tharja (në diell) etj. Gjithashtu, “flaka otr”/Sadetin Hasaj në një bisedë të datës 22.10.2022 i shkruan Jurgen Ujkaj duke i thënë … “në terezi e kena vu …. 2 rrug 300 arka…. i musha unë… kur i qëndrojmë ne tek koka punës, shkon çdo gjë në rregull.”

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme Hamdi Dyli i cili kishte dhënë tokën me qera me një kontratë prej 20 mijë lekësh të reja në muaj është i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm. Në disa nga bisedat ai i shpreh shqetësimin antarëve të grupit se ka persona të tjerë që e dinë në lidhje më kultivimin e kanabisit.

Ndërkohë që personat që punonin në sera dhe merreshim me të gjitha punët njoftonin Satedin Hasajn dhe të besuarit e tij nga Malsia e Madhe në lidhje me mbarvajtjen e punës. Hamdi Dyli dhe Xhuliano Hoxha po ashtu janë marrë edhe me sigurimin e ushqimeve për gratë të cilat punonin në sera.

Burime për Klan News bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme është duke kryer një sërë veprimesh hetimore, për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

SPAK kërkon të zbuloj nëse efektivë të policisë kanë pasur dijeni për kultivimin e kanabisit në 4 serat në Rërëz të Beratit. Në atë kohë policia sekuestroi 871.4 kg kanabis një pjesë e tharë e paketuar gati për trafikim. 

Klan News