123 prokurorë i mungojnë sistemit në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Kjo problematikë u ngrit nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2023 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në këtë aspekt, problematike cilësohet nga kryeprokurori Çela ngarkesa, pasi një prokuror detyrohet të ndjekë nga 301 deri në 371 procedime në vit.

“Gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kryeprokurori renditi edhe prokuroritë me performancën më të ulët dhe më të lartë. Sipas zotit Çela përgjatë vitit 2023, performancën më të lartë e kishte Shkodra dhe Kukësi, ndërsa më të dobët, Saranda”.

Shkodra dhe Kukësi kanë përfunduar mbi 65% të procedimeve penale në ndjekje, ndërsa Saranda ka përfunduar vetëm 28%.  Për vitin e shkuar, në prokurori janë trajtuar mbi 55 mijë materiale kallëzuese që përbën një ulje me 9,4% në krahasim me vitin 2022. Përgjatë 2023 janë dërguar në gjykatë mbi 9 mijë e 600 çështje me akuzë ndaj 11.400 të pandehurve.

Pas përfundimit të raportimit në KPL, Çela komentoi edhe hartimin e Kodit të ri Penal, për të cilin tha se nuk duhet nxituar.

Në raportin e vitin të shkuar të Prokurorisë së Përgjithshme, evidentohet nga jashtë në Shqipëri janë ekstraduar 45 persona, ndërsa nga vendi ynë drejt vendeve të ndryshme janë ekstraduar 48 persona. Prokurorisë së Përgjithshme i kanë mbërritur në 2 023 431 letërporosi, ndërsa ka dërguar jashtë vendit 491 të tilla. Gjithashtu, sipas kryeprokurorit Çela, janë ekzekutuar 1,121 vendime për përgjim të autorizuar nga gjykata, dhe 456 urdhra apo autorizime të prokurorit.

Klan News