Teuta barazon pa gola ndaj vllaznisë, Bylis ‘poker’ kundër Erzenit

Teuta ka harruar se si fitohet në elitën e futbollit shqiptar. Durrsakët nuk arritën që të koleksiononin fitore as në javën e 6-të të Superligës, pasi barazuan 0-0 në “Niko Dovana” përballë Vllaznisë. Ekipi i teknikut Bledi Shkëmbi ishte më kërkuese në fushën e lojës, me sulmet e shumta që nuk u konkretizuan duke dështuar për të mposhtur Zogoviç.

Ndërkaq, te shkodranët u duk se humbja 2-1 në Kupë ndaj Flamurtarit ka lënë pasoja të mëdha, çka i pengoi për të marrë fitoren ndaj Teutës, e kujdesshme në prapavijë. Një barazim që e mban Vllazninë në vendin e katërt me 10 pikë, ndërsa Teuta merr pozicionin e 8-të me 4 pikë pas 5 javëve të para.

Në takimin tjetër, Bylis është rikthyer tek fitorja në kampionat dhe atë e bën në mënyrë dominuese. Ballshiotët ishin të papërmbajtëshëm në duelin e shtëpisë përballë Erzenit, duke triumfuar me shifrat 4-1 për t’i shkaktuar kështu humbjen e parë sezonale shijakasve dhe marrë pozicionin në tabelën e renditjes.

Lajthia, Kaçorri, Beji dhe Felipe shënuan për Bylisin, duke bërë të pavlefshëm golin e brazilianit Enk, i cili realizoi vetëm për statistikë.  Një tre pikësh që e vendos Bylisin pas shpatullave të Partizanit në kuotën e 11 pikëve, ndërkaq, Erzeni pëson humbjen e parë dhe ndaj Egnatias do tentojë që të rigjejë vetveten.

Klan News