Shqipëria humb 7 vende për lirinë e medias.

Raporti i indeksit Botëror të Lirisë së Medias, të organizatës “Reporterët pa kufij”, e rendit Shqipërine në vendin e 82, duke humbur 7 pozicione nga viti i kaluar. Dokumenti për vendin tone nis me konkluzionin: “Rruga për në BE është e gjatë”.Në parlament u krijuan sot dy grupe të reja kuvendore, ai demokrat, i kryesuar nga Rudina Hajdari dhe ai i pavarur i kryesuar nga Nimet Musaj.Përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri kanë zhvilluar një mision vëzhgues për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ata kanë shprehur mosbesim ndaj vullnetit të palëve politike, për të luftuar fenomenin e shit-blerjes së votave.

Prishtinë, si u krijua borxhi fiktiv 260 mijë dollarë.

Skënder Kuniviku, një biznesmen nga Prishtina denoncon në “Stop” për një borxh të krijuar artificialisht në shumën 260 mijë dollarë. Në vitin 2013, Skënderi krijoi kompaninë Gording Germany Plus, që importonte produkte dekorative.

Ai kishte 80 %, ndërsa 20% të aksioneve i kishte një shqiptaro-turk. Më pas, aksionet 20% dhe 30% të Skënderit i shiten një tjetër shqiptaro-turku, Elif Duman. Pasi biznesi nuk eci, ortakët ndanë detyrimet e mallin dhe likujduan edhe njëri-tjetrin.

Pas disa kohësh, Skënderit i vjen një thirrje nga gjykata e Prishtinës, ku ortakja e tij Elifi, kishte hapur një gjyq me pretendimin se Skënderi i ka blerë mall 260 mijë dollarë dhe nuk ia ka paguar. Por Elifi fsheh faktin që kanë qenë ortakë dhe përmes përmbaruesit dhe gjykatës legjitimon këtë borxh fiktiv, që Elifi e ka mbështetur në disa fatura në gjuhën turke. Por faturat nuk kanë kodet e mallit e janë paraqitur pa përkthim dhe pa vulën apostile.

Nga ana tjetër, gjyqtari Lek Prenaj ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit me këto shkelje. Sanja Telhallari shpjegon se për t’u legalizuar një dokument nga një shtet në një tjetër, duhet të ketë disa elementë sigurie, që bëhen në zyrën noteriale. Dokumentet duhet të kenë patjetër përkthimin zyrtar dhe vulën apostile. Nëse këto elementë mungojnë në dokument, atëherë ai nuk ka fuqi ligjore për t’u përdorur në shtetin tjetër.

“Më vonë doli që e gjithë oferta ishte me mashtrim, me një prapaskenë, organizim të mirëfilltë. Elif Duman, babai i saj, por edhe vëllai i saj. Problemet filluan kur… unë e mora maunen e shtatë u ktheva në shtëpi, duke menduar se e kisha kryer problemin me Turqinë. Me thënë të drejtën edhe nuk ndihesha mirë, nuk e dija se çfarë kisha, por ia lija stresit, lodhjes. Në fakt më vonë, në Mars të 2015-s del që isha i sëmurë prej kancerit dhe kam bërë një operacion. Në Maj, marr njoftimin prej gjykatës se kam një padi prej një firme të Turqisë. Çfarë padie? E shikoj, padia thoshte që jam paditur nga ortakja ime, Elif Duman. Me pretendimin se ky zotëria ka blerë një mall nga ne në Bursa dhe nuk po e paguan mallin”, tregon denoncuesi Skënder Kunoviku.

Gazetari i Stop shpjegon se faturat, të cilat janë krijuar në Turqi, nuk kanë kodin shoqërues për çdo artikull. Gjithashtu në të thuhet qartë dhe saktë, që mosmarrëveshjet midis palëve mund të zgjidhjen vetëm në gjykatën e Bursës, që ndodhet në Turqi. Atëherë lind pyetja, si ka mundur sistemi gjyqësor në Kosovë të gjykojë këto fatura dhe të nxjerrë debitor zotin Skënder Kunoviku, me rreth 260 mijë dollarë?

“Si avokat kam vlerësuar që vendimi, urdhri përmbarimor i lëshuar nga organi përmbarues edhe akt-vendimi i gjykatës, janë marrë me një sërë shkeljesh ligjore. Kjo për faktin se propozimi për përmbarim nuk përmban të dhënat esenciale që duhet të përmbajë një propozim. Propozimi për përmbarim duhet të përmbajë ndër të tjera edhe numrin e biznesit, të shoqërisë tregtare ndaj të cilës kërkohet përmbarimi. Propozimi i tillë nuk e ka përmbajtur këtë informacion dhe gjykata duhet ta kishte hedhur poshtë urdhrin përmbarimor. Të tjera: Urdhrit përmbarimor i janë bashkangjitur dokumente që kanë qenë në gjuhën turke, në këtë gjuhë i janë dorëzuar edhe debitorit, gjuhë të cilën ai nuk e kupton. Aq më tepër gjuha turke nuk është gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen dokumente të besueshme. Sigurisht duhet të kishte bashkëngjitur një përkthim, nga një përkthyes i licencuar. Të prezantoheshin në origjinal pasi nuk e dimë nëse ka pasur fatura origjinale në këtë proces apo jo. Po ashtu kreditori paraqitet si person turk, informacion të cilin nuk e kemi, nuk e dimë në është ekzistent ose jo. Mendoj se gjykata fillimisht duhet të kishte vlerësuar nëse kreditori ka mundur ta ketë rolin e palës në procedurë, pastaj të vepronte më tutje. Kjo për faktin se edhe nga marrëdhënia eventuale mes debitorit dhe kreditorit vërehet që është krijuar në Turqi, për më tepër, edhe dokumentet që kreditori ka ofruar si prova, shihet në mënyrë të qartë kanë arritur marrëveshje që çështje e tillë të zgjidhet të jetë gjykata në Bursa, qytet në shtetin turk “, thotë avokati Arbër Rexha.

“Pasi nuk gjeta drejtësi këtu, para 3 javësh isha në Turqi edhe me hapur rast penal për krim të organizuar kundër kompanisë My Decor, kundër Elif Duman, babait të saj, vëllait të saj, që mua më bëjnë një kërkesë pagese për mallin tim. Tani është në përfundim e sipër padia kundër tyre, ku pres thirrjen e avokatit për mbajtjen e seancës gjyqësore në Bursa. Unë shpresoj që drejtësinë time do ta gjej atje tashmë. Me keqardhje, sepse duhet ta kisha gjetur këtu, në Kosovë”, tregon më tej denoncuesi.

Gazetari i Stop, për të saktësuar problematikën, u mor me procedurën e përmbaruesit privat, Fadil Hoxha, i cili ka ligjëruar borxhin artificial prej 260 mijë dollarësh. Në shkresën zyrtare të përpiluar nga ky përmbarues privat mungojnë dy elementët kryesorë. Numri i biznesit dhe emër mbiemër i pronarit të këtij biznesi. Gjithashtu vërehet se ky urdhër ekzekutimi ka mangësi, pasi shuma prej 260 mijë dollarësh nuk përcaktohet nëse janë dollarë amerikanë, australianë apo kanadezë. Çka e bën këtë procedurë të pasaktë dhe jo të rregullt.

Gazetari-Që këto lloj fature p.sh, nuk kanë kodin përkatës për të bërë krahasimin e mallit dhe për t’u verifikuar në pikat doganore, që vërtetë ka dalë ky mall apo jo. Kur del urdhri i ekzekutimit duhet të shoqërohet me emrin e debitorit dhe me numrin e biznesit, sepse i bie që mund të ketë 3 ose 10 “Skënderaj”. Si do ta ekzekutoni ju? Ku do ta ekzekutoni?

Asistenti i përmbaruesit-E dimë ne si e ekzekutojmë, i kemi shkresat e lëndës. Ti nuk i ke shkresat!

Gazetari-S’i kam numrin e biznesit.

Asistenti i përmbaruesit-Nuk i ke as shkresat e lëndës.

Gazetari-I kam të gjitha. Këto kur janë dërguar në gjykatë, janë dërguar me përkthim? Se ashtu duhet, se gjyqtari s’di turqisht, ju nuk dini turqisht, unë s’di, nuk e kuptoj çfarë është. Minimalisht për shembull një akt noterial që bëhet. kur bëhet midis dy shtetasve një shqiptari dhe një të huaji është përkthyesi, që ai tjetri, që është i huaj, ta kuptojë për ca bëhet fjalë.

Asistenti i përmbaruesit-Punën e gazetarisë edhe të kameramanit mundeni me na e treguar ju, për punën e këtyre punëve për përmbaruesin pyetet shefi dhe përmbaruesi, që është përkatës.

Gazetari-Tani dhe unë prandaj erdha këtu, se jam konsultuar, prandaj kam ardhur nga Tirana, sepse kërcet si çështje. D.m.th këto janë fiktive, borxhi që është, është artificial, i prodhuar, sepse zoti Konoviku ka qenë ortak më përpara me këtë kompaninë.

Asistenti i përmbaruesit-E di këtë, por të thashë, që për këtë lëndë nuk mund me të fol ty, se as ti as unë nuk kemi autorizim.

Prishtinë, pa përkthim e pa vulë apostile, shkeljet e një procesi gjyqësor.

Faturat, e pretenduara nga Elif Duman, nuk kanë kodet e mallit e janë paraqitur pa përkthim dhe pa vulën apostile. Nga ana tjetër, gjyqtari Lek Prenaj ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit me këto shkelje.

Emisioni “Stop” merret me Gjykatën e Shkallës së Parë Prishtinë, me gjyqtarin Lekë Prenaj, i cili ka ligjëruar këtë procedurë përmbarimore dhe këtë borxh të krijuar në mënyrë artificiale. Ky gjyqtar duhej t’i kishte kërkuar përmbaruesit privat që të gjitha faturat në gjuhën turke duhej të ishin të shoqëruara me një përkthim përkatës të kryer nga një përkthyes i licencuar. Pikë së dyti, ky gjyqtar po ashtu duhej t’i linte palës kreditore mundësinë e apelimit.

Arbër Rexha, avokat: Debitori në afat të rregullt ligjor ka parashtruar ankesë ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore me të cilën është refuzuar prapësimi. Mirëpo në pamundësi të deponimit të garancisë, të cilën e ka caktuar Gjykata Themelore, kjo e fundit pa ndonjë vendim me shkrim, lëndën dhe shkresat për lëndën, i ka orientuar tek përmbaruesi për të proceduar më tutje. Unë mendoj që ankesa është e drejtë fundamentale dhe kategori kushtetuese, e cila nuk duhet t’i mohohet askujt. Mendoj se Gjykata e Shkallës së Parë është dashur që ankesën sëbashku me shkresat e lëndës t’i drejtojë tek Gjykata e Apelit për vendosjen meritore në këtë çështje përmbarimore.

Pikë së treti, ky gjyqtar nuk duhej të kishte gjykuar pikërisht këto fatura pasi në këto fatura shkruhet qartë dhe pastër, nëse ka konflikt midis palëve, atëherë është Gjykata e Bursës dhe përmbaruesit e Bursës, të cilët mund t’i japin zgjidhje konfliktit.

Gazetari – Në lidhje me këto faturat, që keni nxjerrë një borxh të prodhuar në mënyrë artificiale, a kanë pasur një përkthyes nga Turqia për këtë lloj fature, që keni pasur në lëndën gjyqësore?

Gazetari – Mund të flasim zoti Lekë Lekë Prenaj?

Lekë Prenaj – Jo bre zotni! Është zëdhënësja, te zëdhënësja bisedohet, nëse keni naj sen.

Gazetari – Jo thjeshtë, ju dini turqisht?

Lekë Prenaj – Jo nuk ka ç’ka t’them unë ty!

Gazetari – Kjo fatura këtu thotë p.sh, që…

Lekë Prenaj – Nale ti kët kamera!

Gazetari – N.q.s palët kanë probleme, duhet ta zgjidhin në Gjykatën e…, në Gjykatën e Bursës.

Lekë Prenaj – Unë ju tregova, shkoni atje ku është zëdhënësja!

Gazetari – Po zëdhënësja s’mund ta thotë, se ju e keni marrë vendimin. Më kupto?

Lekë Prenaj – Te zëdhënësja shkoni, s’komunikohet gjyqtari, nuk lejohet me u komuniku.

Gazetari – E kuptoj, por është absurde, sepse këto janë fiktive dhe është një broçkull.

Lekë Prenaj – Cilat janë fiktive?

Gazetari – Po sepse nuk kanë kode. Këtu thuhet, që duhet të gjykohet në Gjykatën e…

Lekë Prenja – Fike kët kamer!

Gazetari – E Bursës. Nuk keni një opinion për këtë?

Lekë Prenaj – Jo jo, dhe asnjë lloj sqarimi.

Gazetari – Ok, faleminderit!

Lekë Prenaj – Shpjegimin ua dhashë!

Ky dokument që është prodhuar në shtetin turk dhe është bërë shkak i një borxhi artificial në shtetin e Kosovës duhet që të ketë elementët e sigurisë për tu përdorur në institucionet zyrtare, apo në sistemin e drejtësisë. Dhe kush më mirë se një noter mund të na thotë se çfarë elementesh sigurie duhet të ketë ky dokument para se të përdoret zyrtarisht.

Noterja Sanja Telhallari, shpjegon, se për t’u legalizuar një dokument nga një shtet në një tjetër, duhet të ketë disa elementë sigurie, që bëhen në zyrën noteriale.

Përsëhndetje notere! Emisioni “Stop” është i interesuar në lidhje me një procedurë që bëhet nga një shtet në një shtet tjetër. Kemi të bëjmë me një faturë të prodhuar në shtetin turk dhe ne do të donim të dinim që si mund të legalizohet ky dokument që të mund të përdoret zyrtarisht, por edhe në sistemin gjyqësor në një shtet tjetër. Cilët janë ato elementë sigurie që një noter bën dhe që certifikojnë një dokument?

Sonja Telhallari, notere: Duke u bazuar në Konventën e Hagës, një dokument që të ketë një fuqi ligjore, duhet të ketë në vulë apostile. Që është veprimi i parë. E dyta, që të veprojë në shtetin tjetër, duhet të përkthehet nga një përkthyes zyrtar dhe më pas të noterizohet. Në rastin konkret, dokumenti që unë kam në dorë nuk ka një vulë apostile dhe e dyta, nuk është përkthyer nga një përkthyes që ne të shikojmë çfarë përmban dokumenti. Duke mos ditur se çfarë përmban, një noter nuk mund ta noterizojë këtë dhe nuk mund të ketë fuqi, nuk mund të veprojë në shtetin tjetër.