Sytë e shqiptarëve janë nga Spanja, me të cilën Shqipëria do të ballafaqohet për sfidën e fundit të grupeve në Euro 2024. “Iberikët” vijnë komodë, pa presion pasi siguruan vendin e parë dhe kualifikimin në fazën tjetër pas fitores me Italinë. Për kuqezinjtë ka për të qenë një ndeshje “jetë a vdekje” pasi diskutohet kualifikimi i mundshëm në fazën me eliminim direkt.

Kualifikimi i Spanjës bën me shpresë shqiptarët që kundërshtarët të mos jenë në 100% e tyre. Në fakt, ka qenë vetë trajneri i spanjollëve Luis De La Fuente që deklaroi se ndaj Shqipërisë do u japë hapësira lojtarëve të rinj.

Por cilët janë lojtarët që mund të startojnë për Spanjën?

Ajo që është e sigurt është që mesfushori Rodri do të mundojë për shkak të kartonave ndërsa mbrojtësi i Realit, Nacho, për shkak të një dëmtimi. E kështu në 11 pritet që të nisë sërish Aymeric Laporte i cili luan për Al Nassr.

Mbrojtësi ishte titullar edhe ndaj Italisë. Fakti që Nacho është dëmtuar, por edhe që mbrojtësi tjetër titullar Le Normand “tërheq” kartonët (e ka një të verdhë nga ndeshja me Italinë) ka bërë trajnerin të mendojë që të mos e rrezikojë dhe Laporte të jetë titullar. Shoku i tij i mbrojtjes do të jetë Vivian, lojtari i Athletic Bilbao.

Sa i përket krahëve Cucurella dhe Carvajal kanë luajtur ndaj Kroacisë dhe Italisë, duke shpenzuar shumë energji. Prandaj për ta në ndeshjen ndaj Shqipërisë do të ketë pushim. Mediat spanjolle shkruajnë edhe për përshtatjen e ndonjë lojtari mesfushor në pozitën e mbrojtësit qendror, diçka e praktikuar nga trajnerë të mëparshëm, por jo nga De La Fuente.

Prandaj me shumë mundësi qendra e mbrojtjes së Spanjës do të jetë e përbërë nga Laporte dhe Vivian, ndërsa para tyre mund të qëndrojë Martin Zubimendi i Real Sociedad./tvklan.al