Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:00 në Tiranë, ku kanë mbetur të plagosur 2 persona.

Në një komunikatë për mediat Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, u shpreh se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën duke dhënë detaje për ngjarjen.

Momenti kur efektivi neutralizon Orges Bilbilin

Ngjarja ka ndodhur gjatë një kontrolli në kuadër ta masave të marra për parandalimin e Covid-19, ku efektivi i është afruar qytetarit për ta pyetur se përse kishte dalë dhe për ti kërkuar një mjet identifikimi,  por ka hasur në kundërshtim të tij, duke u larguar me vrap.

Ndërsa efektivi i policisë e ka ndjekur dhe i ka kërkuar të ndalojë, qytetari, i cili dyshohet se është një person i rrezikshëm dhe i shpallur në kërkim, ka nxjerrë nga çanta një armë duke e kërcënuar.

Efektivi ka hapur zjarr, një herë në ajër për ta paralajmëruar, dhe më pas e ka qëlluar në këmbë.

Por plumbat kanë kapur dhe një qytetare që po kalonte rastësisht.

“Një punonjës policie, i cili i kërkon dokumentet e identifikimit një qytetari, ky i fundit nuk i është përgjigjur. Në momentin që i ka kërkuar çfarë keni në çantë, qytetari është larguar me vrap. Punonjësi i policisë e ka ndjekur nga pas dhe sapo kalon pjesën e parë, qytetari i ka drejtuar armën punonjësit të policisë. Ky i fundit e ka paralajmëruar që ju lutem ulni armën se do t’ju qëlloj dhe ka qëlluar njëherë në ajër sipas rregullores.

Qytetari ka lëvizur përsëri me vrap dhe në kohën që punonjësi i policisë e paralajmëroi përsëri që të ulë armën të dorëzohet, ai ka drejtuar armën dhe i ka thënë policit do të qëlloj, nëse nuk largohesh. Ndërkohë punonjësi i policisë ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur.

Aktualisht ndodhet në spital, mendohet që është plagosur në pjesën e poshtme të trupit, në këmbë, por akoma nuk kemi një informacion të saktë.

Në afërsi të kësaj skene ka qenë një qytetare e cila edhe ajo ka marrë një plumb në këmbë, nga punonjësi i policisë”.

Drejtori bëri me dije se dyshohet se autori është një person me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim.

“Dua t’ju bëj me dije se nuk e kemi identifikuar akoma këtë qytetar, por dyshimet e para janë që kemi të bëjmë me një person shumë të rrezikshëm i shpallur në kërkim për të cilin ne do t’ju bëjnë njoftim sapo të saktësojmë plotësisht identitetin e tij”.

Jaupi tha se punonjësi i policisë ishte i vetëm në momentin e ngjarjes.

Është punonjës me përvojë, i ekipit Shqiponjave dhe ka vepruar në bazë të gjithë procedurave standarde të punës. Gjithsesi ne kemi ngritur grupin e punës për të sqaruar identitetin e personit që pak a shumë kemi një emër, por do t’ua bëjmë me dije pak më vonë, pasi të bëjmë krahasim e gjurmëve të tij. Momentalisht të plagosurit janë jashtë rrezikut, në spitalin ushtarak“. /tvklan.al