Disa studiues kanë arritur që të krijojnë pajisjen e parë për humbjen e peshës që mbyll gojën e përdoruesve duke i detyruar ata që t’i nënshtrohen një diete me bazë likuide. Pajisja është quajtur Kontrolluesi i Dietës DentalSlim shikohet si shumë efektiv, i sigurt dhe i përballueshëm për njerëzit që janë obezë. Kështu deklaroi profesori Paul Brunton, nga universiteti i Otago-s.

Edhe pse duket si shumë e frikshme në pamje të parë, qëllimi parësor i kësaj pajisje sipas ekspertëve është luftimi i obezitetit. Sipas universitetit të Otago-s në të gjithë botën janë 1.9 miliardë njerëz mbipeshë dhe 650 milionë obezë. 2.5 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të peshës. Parashikohet që deri në vitin 2030 personat mbipeshë të shkojnë deri në 57% të popullsisë.

“Barriera më e madhe e njerëzve për dobësimin me sukses është vendosmëria dhe kjo ndihmon që të vendosen zakone të reja, duke i lejuar ata që t’i përshtaten një diete me kalori të ulëta për një periudhë kohe”, tha Brunton.

Përdoruesit e kësaj pajisjeje mund t’i nënshtrohen një procedure kirurgjikale të thjeshtë, ku sipas ekspertëve nuk ka asnjë pasojë. DentalSlim nuk pengon të folurën apo frymëmarrjen dhe lejon që goja të hapet deri në 2 milimetra. Ekspertët e kanë planifikuar pajisjen që të hapet çdo 7 ditë në mënyrë që të pastrohet goja.

Deri më tani vullnetarët që e kanë mbajtur pajisjen nuk kanë shprehur probleme me erën e gojës. Megjithatë ata thonë se kanë ndjerë në raste të caktuara jo rehati dhe iu është dukur sikur jeta është më pak e kënaqshme.

Në disa raste të tjera ata kanë pasur probleme në shqiptimin e fjalëve. Ndërkohë kritikët e kësaj pajisje e shohin atë si shqetësim dhe e kanë krahasuar me teknikat e torturave./tvklan.al