Figura e heroit vijon të përplasë dy vendet

Mbetet e tensionuar situata në Maqedoninë e Veriut në prag të 4 Shkurtit, kur shënohet 151-vjetori i lindjes së Goce Dellçev, një figurë e shpallur hero kombëtar edhe nga Shkupi edhe nga Sofja dhe që shpesh ka përplasur të dyja vendet. Autoritetet maqedonase kanë paralajmëruar se të shtunën do të ketë udhëtime të organizuara prej Bullgarisë për të bërë homazhe në varrin e tij në Shkup. Për këtë shkak, policia ka vendosur të mbyllë disa nga rrugët që të çojnë atje me qëllim shmangien e trazirave. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se organet e sigurisë do të garantojnë që të mos ketë incidente.

“Institucionet punojnë dhe grumbullohen informacione që gjithcka të jetë në rregull ashtu sic presin qytetarët. Patjetër të deeskalojmë situatën, që duan ta përkeqësojnë politikanë, grupe dhe individë. Nuk do të lejojmë eskalime, incidente apo nënçmime të popullit maqedonas dhe shtetit.”

Thirrje për organizime paqësore bëri edhe Ministri I Jashtëm, Bujar Osmani.

“Të tregojmë pjekuri dhe të mos lejojmë që nacionalizmi të ushqehet përmes gjuhës së urrejtjes dhe përçmimit. Ne jemi një vend me perspektivë evropiane. Me traditën e dialogut ndëretnik, kohezionit dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dypalëshe, ne jemi shembull në botë. Ju ftoj të qëndrojmë në këto vlera tona.“

Këshilli për Siguri Kombëtare u ka rekomanduar institucioneve të marrin të gjitha masat për të shmangur incidentet dhe provokimet si dhe të ndalojë hyrjen e personave të caktuar nga Bullgaria.

Klan Macedonia