Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet në ngarkim të ish-shefit të krimeve Dedan Gjoni dhe tre personave të tjerë. SPAK dërgoi të mërkurën dosjen në ngarkim të tyre në GJKKO, pasi akuzohen se kanë tentuar të vrasin Xhevdet Plakun në vitin 2019.

Sipas njoftimit të SPAK, ekzekutimi i Plakut do të kryhej për hakmarrje dhe organizator ishin Rexhep dhe Algert Rapi, Dejvi Gjermeni, Fatjon Dervishi dhe ish-zyrtari i policisë Dedan Gjoni.

Plani për vrasjen e Plakut u zbulua falë përgjimeve të autoriteteve holandeze ndaj Dejvi Gjermenit. Sipas materialeve të mbërritura pranë autoriteteve shqiptare, Gjoni në vitin 2019, me detyrë pranë policisë së Durrësit, shoqëroi Xhevdet Plakun dhe njoftoi Gjermenin për orën se kur do ta lironte.

Gjermeni më pas njoftoi Algert Rapin, nipin e Rexhep Rapit për të kryer ekzekutimin e Plakut. Krimi i rëndë dështoi pasi Gjermeni kishte frikë se nga informacioni që dha do të zbulohej më vonë dhe gënjeu bashkëpunëtorët duke u thënë se shënjestra ishte larguar.

Nga hetimet e SPAK gjithashtu rezultoi se shkak atentatin e planifikuar që nuk u realizua ishte pasi Rexhep Rapi dyshonte se Xhevdet Plaku ishte autor i vrasjes së një të afërmi të tij në Itali në vitin 2000.

Klan News