Krerët e 5 institucioneve të sistemit të drejtësisë prezantuan raportin vjetor të punës për vitin e shkuar. Por ai që mori më shumë kohë dhe vëmendjen më të madhe të ligjvënësve, në mënyrë të veçantë atyre të opozitës, ishte kreu i SPAK, Altin Dumani. 

Çështja për të cilën kishte më shumë interes nga radhët e demokratëve ishin hetimet për inceneratorin e Tiranës, për të cilën Dumani, duke qenë çështje ende në hetim, zgjodhi të japë përgjigje të rezervuar.

“Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimin mundohet ta fshehë. Për çështjen konkrete çështja është në hetim paraprak. Është në hetim dhe po hetohet”.

Po kaq i rezervuar u tregua dhe kur u pyet për dy çështje të tjera në hetim, atë për ish-kryeministrin Berisha, i cili qëndron në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar dhe ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i vënë nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

“Janë çështje në hetim paraprak dhe nuk mund të bëj asnjë koment dhe s’kam gjë për të ndarë me ju i nderuar deputet”.

Edhe për çështjen Xibraka, për cilën u pyet nga kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, mohoi të ketë patur ndërhyrje politike për të mos nisur hetimin.

“Nuk mund të jap asnjë koment se është në hetim. Lidhur me marrëdhënien e Kryeministrit apo çdo titullari tjetër, marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Institucionale kur institucionet kanë nevojë të bashkëpunojmë dhe proceduriale kur ndonjëri prej tyre thirret. Nuk marr dhe përcjell mesazhe. Ushtroj detyrat e mia në përputhje me dispozitat ligjore”.

Drejtuesi i strukturës së posaçme ndau me deputetët shqetësimin për lidhjet e elementeve të caktuara të policisë me krimin e organizuar.

“Hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale janë sofistikuar dhe përfshirë në tregjet ndërkombëtare të drogave të forta, duke pasur pozicion dominues”.

Nuk munguan as tensionet gjatë raportimit të Dumanit, edhe pse ato nuk lidheshin drejtpërdrejtë me të.

Në raportimin e gjatë përpara deputetëve të Kuvendit, Dumani tha se nga ana e SPAK janë vënë nën hetim 12 zyrtarë të lartë, si dhe janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri.

Tv Klan