“Ky është çmimi që duhet paguar për Kosovën e pavarur”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi qëndroi 6 orë brenda prokurorisë Speciale në Hagë ku u pyet për akuzat e ngritura për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kreu i shtetit të Kosovës dha pak detaje për atë që ndodhi në seancën maratonë që do të vazhdojë edhe të martën.

Thaçi u prit me brohorimave të bashkëqytetarëve të mbledhur në mbështetje të tij në selinë e prokurorisë speciale. Përpara marrjes në pyetje ai tha se aty ndodhej për të mbrojtur ëndrrën e tij, shtetin e pavarur të Kosovës.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi që duhet paguar për lirinë. Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Kosova është histori suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Thaçi u thirr të dëshmojë edhe pse ndaj tij është paraqitur për shqyrtim një aktakuzë dhe kjo përbën një rast unik. Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale deri në momentin kur gjykatësit do t’i konfirmojnë ose t’i hedhin poshtë ato, brenda një periudhe prej 6 muajsh.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 Prill, ngritjen e një aktakuze me 10 pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli e të tjerë ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për disa krime kundër njerëzimit e krime lufte gjatë viteve ’98-’99 mes të cilave, vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje e tortura. Megjithatë, Thaçi i ka refuzuar kategorikisht këto akuza, ndërsa ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti nëse ato konfirmohen nga gjykata.

Tv Klan