Kërkohet më shumë siguri në stërvitje

Federata e Futbollit dhe Ministria e Shëndetësisë vijojnë bisedimet në nivel teknik për të përcaktuar detajet e protokollit shëndetësor që do të duhet të aplikohet.

Nëse për zhvillimin e ndeshjeve FSHF kishte ndërtuar një protokoll të detajuar madje edhe me kohëzgjatje për angazhimin e personave që duhen për një takim futbolli, Komiteti Teknik i Ministrisë ka kërkuar të detajohen masat edhe për stërvitjen e futbollistëve në mënyrë individuale dhe kolektive.

Në mbledhjen e radhës së Komitetit Teknik në Ministrinë e Shëndetësisë, FSHF u përfaqësua nga Dr.Arjana Sina.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se përfaqësueses së FSHF i është kërkuar që në protokollin e stërvitjeve individuale dhe kolektive të shtohen ose të përmirësohen disa masa.

FSHF ka dhënë gatishmërinë e saj për të plotësuar sa më shpejt kërkesat e Ministrisë, por autoritetet qeveritare ende nuk kanë një datë për rifillimin e aktiviteteve sportive në vend.

Më herët drejtuesit e organizmit shqiptar të futbollit janë shprehur se nëse Superliga nuk nis të paktën në fillim të Qershorit, atëherë plani për të luajtur ndeshjet e mbetura do të dështojë.

Por skuadrave iu duhen të paktën 20 ditë deri në dy javë përgatitje, për të rikthyer formën e futbollistëve. Në këtë mënyrë, FSHF pret një përgjigje sa më të shpejtë nga shteti shqiptar për rifillimin ose jo të kampionatit të futbollit.

Tv Klan