Një burrë gjeti vdekjen pasi një tufë me bletë e sulmuan ndërkohë që përcillte për në banesën e fundit djalin e tij në Brazil. 80-vjeçari Raul Diniz u dërgua me urgjencë në spital, pasi pësoi reaksion të rëndë alergjik. Ai pësoi shok anafilaktik, megjithatë jetën e humbi për shkak të komplikacioneve në veshka.

Diniz nuk ishte i vetmi që u pickua nga bletët. Pickime pësuan edhe 10 persona të tjerë që ndodheshin në varrimin që po zhvillohej në qytezën e Bonfim.

Funerali i djalit 45-vjeçar Rui u shty dhe familja planifikon që tanimë babë e bir t’i varrosin pranë njëri-tjetrit. Sipas asaj që shkruan DailyMail, nuk dihet shkaku i vdekjes së djalit të vetëm të 80-vjeçarit.

*Shoku anafilaktik është një reaksion i rëndë alergjik që prek të gjithë trupin. Zakonisht shkaktohet nga pickimi i insekteve, veçanërisht bletëve dhe grerëzave, si dhe nga ushqime si arrat, qumështi dhe peshku. Simptomat përfshijnë të fikët, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta zemre, skuqje, kruarje, ose fryrje të gjuhës e fytit. Simptomat zakonisht nisin brenda 15 minutave dhe përkeqësohen me shpejtësi. Shkaktohet nga reagimi i sistemit imunitar të trupit./tvklan.al