Blloku i banimit, në zonën e Yzberishtit, i kufizuar nga rrugët “3 Dëshmorët”-Rexhep Shala-Joklin Persi, është transformuar rrënjësisht, pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve dhe u shpreh se me investimin e bërë këtu, është rritur edhe vlera e pronës së banorëve.

“Këtu ka qenë vërtet një Kandahar. Ish komuna i jepte lejet pa menduar fare për urbanizimin. Tani që kemi mbaruar punë me shumicën e kantiereve të dhëna nga lejet e ish komunës, fillon një sistemim total nga sistemi vertikal, në sistemin horizontal. Hapësira horizontale është hapësira më demokratike. Nuk ka rëndësi nëse ke 500 m2, apo 50m2, kur zbret në tortuar, je njësoj si të gjithë të tjeret, kur del me fëmijën për dore je njësoj si gjithë të tjerët, nuk ka rëndësi ku punon, sa e ke rrogën, nga e ke prejardhjen.”

Sipas kryebashkiakut, qytetarët do të mbajnë mend ata që bëjnë punë dhe jo ata që djegin goma.

“Ftesa ime për të gjithë qytetarët është: Më mirë ejani ta bëjmë revolucionin këtu dhe ta bëjmë këtu urbanizimin, të ndërtojmë një jetë shumë herë më të mirë, secili në shtëpinë e tij, sesa ta bëjmë revolucionin me telekomandë për ata që mezi po presin të shkojnë te Gjiri i Lalzit dhe ta mbyllin stinën e revolucionit. Për të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk e kanë shtëpinë te Gjiri i Lalzit, por që jetojnë përditë këtu, ftesa ime është: Ky është revolucioni ynë, kjo është hapësira jonë, këtu është vendi ku ne duhet të transformojmë realitetin.”

Veliaj tha se në Yzberisht për të plotësuar kërkesat e qytetarëve për kopshte dhe çerdhe janë marrë ambiente me qera për ngritjen e tyre.

Klan News