Fëmijët e njësisë nr. 1 në kryeqytet, shumë shpejt do të kenë një kopësht të ri. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se për pak ditë, kopshti “Ylberi” do të hapë dyert për 180 vogëlushë.
“Kjo ishte një ndërtesë e vogël, sa një kuzhinë, ndaj morëm vendimin e drejtë për ta ribërë nga e para, për të zgjidhur problemet e tokës, për t’u zgjeruar më shumë, për të maksimizuar hapësirën, që ne përdorim për 180 vogëlushë. Në 2015-tën gjetëm një situatë skandaloze. Por, kur njeriu mobilizohet, skuadra punon, bashkëpunon, bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ne gjetëm 3 mijë fëmijë që merrnin shërbime në kushte skandaloze. Është po e njëjta Tiranë dhe sot kemi 17 mijë fëmijë, më shumë se 5-fishi”.
Duke u ndalur tek opozita, Veliaj tha se fitorja nuk vjen duke djegur goma, por duke ndërtuar shkolla.
“Me kopshte dhe çerdhe jemi sot dita me natën me ata që djegin goma dhe nuk u del e keqja nga humbja e thellë që pësuan. Duhet të kuptojmë se fitorja vjen me këto punë. Kush ka bërë çerdhe, kopshte, shkolla shpërblehet. Kush nuk ndërtoi asnjë shkollë apo nuk mbaroi as vetë shkollen e tij, më vjen keq, por njerëzit nuk janë budallenj”.
Për shkak të numrit të lartë të kërkesave për regjistrimin e fëmijëve në kopshte e çerdhe, Veliaj tha se prioritet do të kenë familjet me ndihmë ekonomike.
Tv Klan