Tirana së shpejti do të ketë qendrën më të madhe të trajtimit për fëmijët e spektrit autik. Nismën e ka shpalosur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një inspektimi në kopshtin “Ylberi”, të rikonstruktuar me kushte dhe standarde si të vende europine.
“Kemi vendosur që ish-qendra “Pëllumbat”, që i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës, pranë Ambasadës Amerikane, ta riinvestojmë. Ajo është një ndërtesë e rrënuar, siç ishte ky kopësht, dhe ta kthejmë në qendrën më të madhe të kurimit, të ndihmës dhe të asistencës për fëmijët e spektrit autik në Ballkan. Ashtu si Piramida është sot qendra më e madhe e kodimit, ashtu dua që edhe në aspektin social, Tirana të jetë qendra më e madhe të ndihmës për fëmijët e spektrit autik dhe atyre me sindromën down, dhe të gjithë nevojat e tjera të shëndetit mendor”.
Referuar protestave të opozitës të Bashkia e Tiranës, ai tha se fitorja nuk vjen duke djegur goma.
“Me kopshte dhe çerdhe jemi sot dita me natën me ata që djegin goma dhe nuk u del e keqja nga humbja e thellë që pësuan. Duhet të kuptojmë se fitorja vjen me këto punë. Kush ka bërë çerdhe, kopshte, shkolla shpërblehet. Kush nuk ndërtoi asnjë shkollë apo nuk mbaroi as vetë shkollen e tij, më vjen keq, por njerëzit nuk janë budallenj”.
Sipas kryebashkiakut kopshti “Ylberi” do të mirëpresi 180 fëmijë me kushte shumë herë më të mira dhe hapësira më të mëdha.
Klan News