Vendimin e sotëm të shoqatës së bashkive për shkarkimin e saj nga kreu i kësaj organizate, Voltana Ademi e konsideron nul. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi shpjegon sipas saj se pse u shkarkua nga shoqata edhe pse e konsideron të paligjshëm atë.

“Për qytetarët që janë të interesuar për demokracinë në vend dhe rrezikun e lirive të tyre nga një kryeministër autoritarist si Edi Rama, një shpjegim i thjeshtë për të ashtuquajturin shkarkimin tim si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Nuk ka asnjë vendim të ligjshëm shkarkimi. Personat që e kanë lajmëruar ketë vendim nuk janë anëtarë të shoqatës që unë drejtoj. Siç tregon linku më poshtë, ata janë anëtarë të Shoqatës për Autonominë Vendore, e krijuar nga Edi Rama në 2010-ën. Pas votimeve të paligjshme të 30 Qershorit 2019, anëtarë të kësaj shoqate janë të 60 bashkitë që urdhërohen nga Edi Rama. Pra, edhe ato bashki, si Lezha, dikur anëtare të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, janë larguar për t’iu bashkuar shoqatës së PS.  Nga pikëpamja ligjore, vendimi i sotëm është nul, nuk ekziston për asnjë institucion serioz. Sigurisht, nuk mund të pranohet si i vlefshëm as nga Gjykata Kushtetuese, ku Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të votimeve të 30 Qershorit 2019”, shkruan Ademi.

Kryetarët e 23 bashkive socialiste të mbledhur në Lezhë vendosën shkarkimin e Ademit nga kjo detyrë dhe emërimin në vend të saj të Pjerin Ndreut. Me shumicë votash kryetarja e Bashkisë së Përmetit Alma Hoxha dhe ai i Pogradecit Ilir Xhakolli u zgjodhën nënkryetar të shoqatës.

Voltana Ademi një ditë më parë me anë të një letre që i drejtohej ambasadorëve akuzoi kryebashkiakët socialistë se në mënyrë paligjshme po ndryshojnë organet drejtuese të shoqatës para zhvillimit të seancës gjyqësore për pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale në Gjykatën Kushtetuese.

Ndreu hodhi poshtë këto akuza ndërsa tha se kjo shoqate nuk është mbledhur prej dy vitesh, dhe për pasojë shumë çështje kanë mbetur pezull./tvklan.al