Xhaferi: Vendosin vetë nëse duan të vaksinohen ose jo

Me vaksinën ruse “Sputnik V” filloi imunizimi i deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Deputetët, konform planit kombëtar për imunizim janë vlerësuar si infrastrukturë kritike dhe siç theksoi kryeparlamentari Talat Xhaferi, shpreson se ky proces do të mundësojë që në gjysmën e dytë të Majit, Kuvendi t`i kthehet normalitetit.

Ai tha se ka dërguar listën e deputetëve, kurse është vendimi i tyre nëse do të vaksinohen ose jo. 

“Unë si kryetar i Kuvendit e dërgova listën e 120 deputetëve. Sipas procedurës secili ka marrë mesazhin për terminin se në cilin grup janë, dhe në cilën nga kabinat duhet të vaksinohen. Vendimi i tyre personal është se kush do të vijë dhe kush nuk do të vijë, kjo më nuk është punë e Kuvendit, nuk është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit. Është vullneti i secilit, me rëndësi është paraparë ndërsa kush si do të vendos është  vendim i tyre”.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce njoftoi se me imunizimin e sotëm do të konsumohet dërgesa nga “Sputnik V” dhe gjysma e donacionit të 1.000 dozave të vaksinës kineze “Sinofarm” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.  Ai gjithashtu njoftoi se 10,600 doza të vaksinave “Pfizer” do të mbërrijnë të hënën.

“Sot kemi marrë një listë nga “Pfizer” që gjatë Majit, çdo të hënë, do të mbërrijnë 5 deri në 7 mijë vaksina për të arritur numrin e përgjithshëm të plus 10 mijë vaksinave. Ardhja e 200,000 vaksinave kineze pritet më 28 Prill. Mbërritja do të përkojë me festat e Pashkëve dhe vaksinimi do të bëhet nga 4 Maji, e marta pas pushimeve. Deri atëherë, të gjitha sallat sportive në gjashtë qytetet e planifikuara do të jenë gati”.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar 44,974 qytetarë, kurse mbi 192 mijë janë paraqitur për t`u vaksinuar përmes sistemit online. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shpreson se do të vazhdojë trendi i rënies së infektimeve dhe presionit mbi spitalet.

Sipas paralajmërimeve këtë fundjavë pritet të mbyllen disa reparte Covid që ishin hapur për shkak të valës së tretë. Javën e ardhshme, siç njoftoi ministri Filipçe, mund të propozohen masa lehtësuese.

Klan Macedonia