“Dhëndri i PS në krye të FRPD”

Për drejtuesin politikë të Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliajn zgjedhjet e 25 Prillit janë jo vetëm një ballafaqim mes dy alternativave, por edhe një sfidë mes kandidatëve që përfaqësojnë dy kampet kryesore politike.

I shoqëruar edhe nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, Veliaj zhvilloi një takim me banorët e Kombinatit, ku theksoi se diferencat mes kandidatëve që do garojnë në këtë zonë janë të mëdha.

Partia Socialiste ka sjellë në Kombinat Belinda Ballukun, ministren më të fuqishme, sepse zona më e prekur nga tërmeti do edhe njerëzit më të fuqishëm. Shikoni palën tjetër kë ka sjellë: E dëgjoja Monikën kur thoshte, “kjo është nxënëse e shkëlqyer, farmacistja me 10-ta”. Pashë dëftesën, ajo ishte me 5-sa. Po pse, ngelësat e Monikës do votojë Kombinati?!

Partia tjetër ka sjellë në Kombinat atë të FRPD-së. Ai është dhëndër në partinë tonë. Do na shajë sa të kapë vendin aty, por jam i sigurt që do jetë i pari që do i hidhet Lulit në fyt kur të humbin zgjedhjet”.

Teksa foli për procesin e rindërtimit Veliaj tha se shtëpitë që po ndërtohen do të jenë në pronësi të familjeve të prekura nga tërmeti.

“Nga java tjetër do t’ju vijnë kontratat e porosisë, të firmosura nga kryetari i Bashkisë, Njësia Administrative dhe Kryeministri. Pastaj, për shtëpinë e re, secila nga familjet do të marrë çelësin, hipotekën në bazë të kontratës dhe aty mbaron marrëdhënia me shtetin dhe fillon marrëdhënia private me pronën e tij.”

Kryetari i Bashkisë tha se aktualisht është bërë pastrimi kryesor i pallateve të dëmtuara dhe ka mbaruar i gjithë shpronësimi i zonave të zaptuara.

Tv Klan