Kreu i LVV-së është dënuar me vendim të formës së prerë

Këto  janë pamjet e vitit 2015 kur disa deputetë shumica të  Lëvizjes Vetëvendosje kishin hedhur gazlotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Pikërisht këto pamje i janë kujtuar ish-ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie gjatë protestës së dhunshme mbrëmë në SHBA.

“Ngjarja në Capitol Hill” më kujton muajt e parë në Kosovë në vitin 2015, kur disa politikanë hodhën gazlotsjellës në parlament për të vonuar votimin e ligjeve. Si tash që po ndodh këtu, politikanët ishin të gatshëm ta sakrifikonin demokracinë për pushtet. Me ndihmën tonë demokracia e Kosovës mbijetoi. Për kohë të gjatë kosovarët kanë aspiruar të bëhen shtet si SHBA-ja. Me ngritjen e protestave të inspiruara nga Trump, sot a do të na admirojnë ende shtetet tjera?”, ka shkruar Delawie në Twitter.

Pikërisht këto sjellje tash po i kushtojnë kreut të LVV-së Albin Kurtit dhe disa bashkëpartiakëve të tij. Sipas njohësve të Kushtetutës, ai nuk mund të kandidojë për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të Kosovës që mbahen më 14 Shkurt pasi ka dënim me burgim me kusht të vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në vitin 2018.

Në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese që vendos për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe qeverinë Hoti e quan jolegjitime thuhet se ndalimi i personave të dënuar për të kandiduar nuk ka për qëllim ndëshkimin e individëve të caktuar, por mbrojtjen e integritetit kushtetues.

Kreu i LVV-së Albin Kurti nuk e ka komentuar faktin nëse do t’i lejohet të kandidojë ose jo. Në një status në Facebook, ai shkruan se pas shtatë muajsh u dëshmua se zgjedhja e qeverisë Hoti ka qenë e kotë. Sipas tij këto zgjedhje janë referendum dhe se politika e keqe më 14 Shkurt është para gjyqit popullor. KQZ thotë se është e gatshme për të organizuar zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Presidentja në detyrë të mërkurën në mbrëmje ka shpallur 14 shkurtin datë të zgjedhjeve ndërsa ka shpërndarë parlamentin pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan