Mjeku Lleshi : Në qendrën tonë janë vaksinuar mbi 70% e banorëve. Po rritet interesi nga të rinjtë

Vaksinimi me njësitë e lëvizshme në banesë po vijon prej një jave. Ne po ndjekim vaksinimin në banesë në Kodër Kamëz ku do të vaksinohen 7 familje.

Grupi i vaksinatorëve të qendrës shëndetësore bëjnë gati vaksinat që do të përdoren dhe më pas nisen në familjet që janë planifikuar për të bërë vaksinën në banesë.

Bashkë me to është edhe mjeku i familjes Jetmir Lleshi, i cili i shoqëron pasi disa prej këtyre personave kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese për shkak edhe të moshës.

Ndalesa e parë është në familjen Likaj.

Çifiti Qemal dhe Asime Likaj morën dozën e parë të vaksinës edhe pse duhej të ishin vaksinuar muaj më parë.

Edhe në familjen Kalemi pa vaksinuar ka mbetur më e moshuara e familjes, 91-vjeçarja Hanëme Kalemi.

Shtyrja e vaksinimit jo vetëm e saj por dhe e personave të tjerë në këtë njësi është për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Sipas mjekut në ambulancën e Kodër Kamzës vaksinimi ka ecur shumë mirë dhe ka kërkesë të shtuar për vaksinim.

Në qendrën tonë shëndetësore, në përgjithësi qytetarët kanë shprehur interes qëkur ka nisur plani i vaksinimit, por moshat e reja kanë shfaqur shumë interes”.

Pavarësisht se ka pak raste të infektuar me Covid, kërkesa për të bërë testin është shtuar në krahasim me muajin Qershor.

Në momentin që pacientët vijnë për vizitë te mjeku i familjes dhe ai dyshon nga simptomat se mund të ketë Covid, ai i bën Rapid Test ose PCR. Në 90-ditëshin e fundit kemi patur vetëm një rast të konfirmuar në qendrën tonë”.

Mjeku u bën apel qytetarëve që të vaksinohen dhe të bëjnë kujdes pavarësisht se situata nga Covid duket e qetë.

Duke kujtuar se viti i kaluar ishte i tmerrshëm për të gjithë, për personelin shëndetësor dhe për qytetarët, iu bëj apel të gjithëve që të vaksinohen dhe mos ta harrojnë vitin që kaluam”.

Procesi i vaksinimit masiv në vend po vijon me kalendar të kombinuar për personat mbi 50 vjeç dhe punonjës të institucioneve në kontakte direkte me qytetarët. Deri më tani janë vaksinuar gati 600 mijë persona, prej të cilave më shumë se  455 mijë i kanë marrë të dyja dozat  ndërsa mbi 142 mijë kanë marrë një dozë të vaksinës anti-covid.

Klan News