Gjermania ka kontribuar me rreth 700 milion euro ndihma financiare për Shqipërinë në këto vite duke qenë kontribuuesi më i madh për Shqipërinë. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në përfundim të takimit me presidentin e Bundestagut gjerman Norbert Lammert, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Sali Berisha: “Ndihma e Gjermanisë ka patur një rëndësi jashtë zakonisht të madhe, është shtrirë në të gjitha fushat dhe ka qenë thelbësore për arritjet e Shqipërisë në ndërtimin e shoqërisë.. e një shoqërie demokratike dhe ekonomisë së tregut në vend. Unë e informova mikun e shquar për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre 3 viteve të fundit që kanë si një synim kryesor konsolidimin e kritereve të Kopenhagenit, standardeve europiane dhe ato të partneritetit europian. E garantova se reformat janë dhe do mbeten për perpetula mobile e kësaj qeverie”.

Ndërkaq presidenti i Bundestagut Lammert vlerësoi ecurinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë në vitet e fundit.

Norbert Lammert: “Mbas shumë vitesh izolimi Shqipëria e gjeti rrugën për në Europë dhe vizita ime këtu do t’i japë shtysë të mëtejshme bashkëpunimit mes 2 vendeve. Me kryeministrin folëm për nevojën që reformat e ndërmarra të vazhdojnë. Ne përshëndesim përparimet që ka bërë Shqipëria së fundmi si në aspektin politik dhe atë ekonomik”.

Ndërsa gjatë takimit me kryetaren e kuvendit Topalli. Lammert ka konfirmuar se shumë shpejt Bundestagu gjerman do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që vendi ynë ka nënshkruar me BE si dhe ftesën për anëtarësimin në NATO. Presidenti i Bundestagut është pritur në një takim të veçantë edhe nga presidenti Bamir Topi./tvklan.al