Qeveria në terren për pastrimin e mjedisit

Mungesa e pastrimit të mbetjeve ka qenë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve të Vlorës në nisje të sezonit turistik. Në këtë situatë, dhjetëra të rinj të këtij qyteti iu bashkuan nismës së Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Mbrojtjes për të pastruar plazhin e ishullit të Sazanit.

Ministri Blendi Klosi i tërhoqi vëmendjen autoriteteve lokale që të bëjnë punën e tyre për mbajtjen pastër të një prej destinacioneve turistike më atraktive të zonës.

“Duke qenë se do hapemi, e kemi shumë turistë në Korrik e në Gusht, bashkitë marrin shumë më shumë të ardhura e për pasojë shtohen edhe më shumë përgjegjësitë. Edhe Sazani ndonëse administrohet nga Ministria e Mbrojtjes, detyrimet i ka për pastrimin, pushteti lokal dhe kompanitë që sjellin këtu turistët.”

Damian Gjiknuri, drejtues politik i qarkut të Vlorës, nuk la pa thumbuar Kryebashkiakun Dritan Leli, duke i kujtuar shqetësimin në rritje të vlonjatëve për mungesën e shërbimeve publike në prag të sezonit turistik.

“Elementi bazë për shumë turistë dhe në Sazan ka qenë se si të jetë ambienti i pastër, kështu që secili nga ne duhet të japë kontributin e tij dhe kjo është e mirëpritur dhe pres që institucionet lokale të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse duhet menduar për një plan menaxhimi në këtë pikëpamje, sepse ishulli është pjesë e Bashkisë së Vlorës dhe e lidhjes së turizmit të Bashkisë, prandaj meritohet më shumë vëmendje.”

Pyetjes për mungesën e Lelit në këtë aksion, Gjiknuri iu përgjigj duke treguar gatishmërinë e zv/kryetares së Bashkisë për të qenë pjesë e aksionit për pastrimin e ishullit.

“Kemi një zonë të nderuar, zv/kryetaren, po aq e rëndësishme dhe shumë institucione që duhet të bëjnë detyrën dhe po e kryejnë në maksimumin e tyre përditë.”

Prej disa ditësh, këshilltarët bashkiakë kanë kërkuar një ballafaqim me Kryebashkiakun Leli për gjendjen skandaloze të shërbimeve të bashkisë. Moslejimin e kësaj mbledhje nga ana e Lelit, këshilltarët e majtë e cilësuan skandaloze dhe papërgjegjshmëri.

Tv Klan