Sebastian Mali të dielën përballet me gjykatën

Viktor Marku i arrestuar si autori kryesor për ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa nuk ka pranuar të flasë përballë hetuesve.

Edhe pse është marrë disa herë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ai ka deklaruar se do të flasë vetëm në prani të avokatit, por në një tjetër moment.

34-vjeçari u arrestua një ditë më parë në Mal të zi, pasi u shpall në kërkim policor si autor i dyshuar i vrasjes së ndodhur javën e shkuar te Komuna e Parisit.

Aktualisht ai po mbahet i izoluar në ambientet e drejtorisë së policisë në Tiranë. Hetuesit kanë dyshime se Marku  është personi që ka vrarë Billën mbrëmjen e 11 Qershorit, pasi ky i fundit kishte ekzekutuar në 2006-tën vëllain e tij në Angli, Prel Markun.

I arrestuar për këtë ngjarje qëndron edhe Sebastian Mali, nipi i Viktor Markut që dyshohet se ka ndihmuar dajën e vetë për të realizuar vrasjen. Sipas hetuesve, Mali ka vëzhguar lëvizjet e Billës pranë Komunës së Parisit dhe më pas ka informuar autorët.  I riu do të përballet mëngjesin e së dielës me gjykatën, pasi prokuroria ka kërkuar ndaj tij masën e arrestit me burg, ndërsa ka mohuar akuzat.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, për këtë ngjarje janë në kërkim edhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se kanë ndihmuar autorët të kryejnë vrasjen dhe më pas të largohen nga vendi i ngjarjes.

Tv Klan