Kryeministri Zoran Zaev i shtriu dorën për pajtim VMRO-DPMNE-së, për ngjarjen e 27 Prillit, kur u pushtua Parlamenti maqedonas dhe u dhunuan disa deputetë, mes tyre edhe vetë Zaev.

Me qëllim sigurimin e konsensusit parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës, kreu i qeverisë në fjalimin e mbajtur para deputetëve në Parlament bëri thirrje për tejkalimin e asaj ngjarjeje. I vetëdijshëm për reagimet që mund të pasojnë, Zaev tha se për këtë është i gatshëm të mbajë edhe përgjegjësi politike.

“Është një moment i shkëlqyer që të falim dhe të pajtohemi. Po dërgoj mesazh pajtimi dhe faljeje për ngjarjet e 27 Prillit dhe ngjarjet që ndodhën. Të ulemi e ta bëjmë këtë. Unë jam i gatshëm. Ju ftoj të gjithëve, edhe mazhorancën, edhe opozitën. Po, e di se kjo ka çmim dhe jam i përgatitur ta paguaj këtë çmim”.

Aleanca për Shqiptarët, lideri i së cilës Ziadin Sela rrezikoi edhe jetën në mësymjen e dhunshme të parlamentit, theksoi se Zaev ka të drejtë të falë, por vetëm si qytetar i këtij vendi e jo si Kryeministër.

Deputetët e opozitës maqedonase gjatë debatit në kuvend përsëritën qëndrimin se nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, ndërsa lidhur me ofertën e Kryeministrit Zaev për falje, thanë se do të shprehen më vonë gjatë ditës.

Tv Klan