23 të ndaluarit e protestës së dhunshme në Rrugën e Kombit ku u godit policia dhe u dogj stacioni i pagesës së kalimit në autostradë do të dalin të mërkurën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Fillimisht gjatë paradites së të martës kancelari i Gjykatës së Kukësit tha zyrtarisht se seanca do zhvillohej në qytetin verior.

“Gjykata ka vendosur që seanca për masat e sigurisë të zhvillohet nesër (e merkurë) në orën 09:00. Infrastruktura e Gjykatës nuk lejon që të 23 të arrestuarit të vijnë në sallë, por do të shikojmë mundësitë që seanca të zhvillohet për të gjithë njëherësh. Akuza është për kundërshtim i forcave të policisë dhe shkatërrim i pronës publike”.

Por mungesa e infrastruktures në Gjykatën e Kukësit ka bërë që procesi të zhvendoset ne kryeqytet. Mesohet se seanca do të drejtohet nga gjyqtarja e gatshme e Gjykatës së Kukësit.

Ndërsa burime  jozyrtare nga Prokuroria e qytetit verior thanë për Tv Klan se për 11 të ndaluar është kërkuar masa e arrestit me burg, për 5 të tjerë arrest shtëpie, ndërsa për 7 protestues masa e sigurisë detyrim paraqitje.

Sipas të njëjtave burime, personat që është kërkuar të mbahen në qeli, janë ata për të cilët organi i akuzës ka siguruar prova se kanë shkatërruar stacionin e pagesës se kalimit në autostradë dhe kanë goditur forcat e rendit.

Masë sigurie do të kërkohet në mungesë edhe për 13 persona të tjerë të shpallur në kërkim dhe që policia nuk ka mundur t’i arrestojë.

Pritet që Gjykata e Tiranës të jetë e blinduar ditën e merkurë. Burime nga policia thonë se do të ketë prani të shtuar të unformave blu që të sigurohet mbarëvajtja e këtij procesi, per shkak se parashikohet nje grumbullim në masë i familjarëve të të arrestuarve dhe të mbështetësve të tyre, që protestojnë para policive në Kukës e Tiranë prej të dielës.

Tv Klan