“Autorët na goditën me makinë, më pas na qëlluan”

Zbardhet dëshmia para hetuesve e Silvana Çakës, bashkëshortes së Everest Çakës, viktimës së atentatit të mbrëmjes së të martës që tronditi qytetin e Elbasanit. Ajo ka rrëfyer se gjithçka ndodhi në pak sekonda dhe se autorët fillimisht i goditën me makinë.  

“Ngjarja ndodhi sapo dolëm nga shtëpia e prindërve të mi që jetojnë me qira në lagjen “Skëndërbej”. Sapo makina jonë nisi të lëvizte na goditi një tjetër mjet nga pas. Kujtuam se ishte aksident. Pashë një person të maskuar që u afrua tek xhami i hapur i shoferit ku qëndronte Everesti. Në dorë mbante një armë me të cilën qëlloi disa herë”.

41-vjeçari humbi jetën menjëherë. Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 15 gëzhoja. Njëri prej plumbave ka plagosur në dorë edhe Silvanën e cila është jashtë rrezikut për jetën. Rreth një orë më pas makina e autorëve u gjet e djegur në Golem të Kavajës dhe brenda saj ishte lënë edhe pistoleta e përdorur në krim.

Policia ka shoqëruar mbi 25 persona për t’i pyetur në lidhje me ngjarjen. Fqinjët përreth kanë dëshmuar se nuk dëgjuan krisma, por vetëm kujën e gruas për ndihmë çka çon në pistën se autorët përdorën një armë me silenciator. Ajo që nuk po ndihmon as hetimet është mungesa e kamerave të sigurisë në vendin e atentatit dhe rruga e pandriçuar. Në zonë kanë kryer kontrolle edhe forcat RENEA.

Çifti kishte vetëm pak javë që ishte kthyer nga Gjermania. Hetimet e policisë janë përqendruar te pista e hakmarrjes ose prishja e pazareve të paligjshme.  Everest Çaka që njihej edhe si Ibrahim Çaka i kanë vrarë vëllain vite më parë në Spanjë.

Pas kthimit në Elbasan, ai është marrë në pyetje edhe nga një grup prokurorësh belgë që po hetojnë vrasjen e kushëririt të tij Arjan Spahiut në Bruksel në 28 Nëntor të vitit të kaluar. Spahiu ka lidhje familjare edhe me Erion Alibejn, i arrestuar si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të paktën 2 vrasjeve.

Tv Klan