Gjykata lë në fuqi vendimin për 9 persona

156 vite burg në total la në fuqi Gjykata e Apelit për 9 të pandehurit për grabitjet e një banke të nivelit të dytë në Tiranë dhe dy të tjera, të autoblindave me para në rrugën e Rinasit.

Grabitjet u kryen gjatë viteve 2015 -2017 nën drejtimin e Admir Muratajt i cili humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Dy prej të dënuarve, Ditjon Memlika dhe Admir Çerpja janë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe u dënuan me 8 vjet e gjashtë muaj heqje lirie.

Ata e kanë shlyer dënimin dhe tashmë janë të lirë. Grabitja e parë ndodhi më 12 Shkurt të 2015 në një bankë të nivelit të dytë, afër stacionit të “Trenit” në Tiranë. Të dënuarit nën kërcënimin e armëve, morën 900 mijë Franga Zvicerane dhe  800 mijë Paund britanik.

Nuk kaloi shumë kohë dhe grupi do të godiste sërish në Dhjetor të po atij viti. Në Qafë-Kashar u grabitën një sasi e konsiderueshme parash që po transportoheshin me mjete të blinduara në drejtim të Rinasit. Shuma që u grabit ishte 1.8 milionë Paund britanik, 800 mijë Dollarë amerikanë dhe 400 mijë Dollarë kanadeze dhe australiane.

Grupi u rikthye sërish me një grabitje të bujshme në Shkurt të 2017, kur morën më shumë se 3 milionë Euro nga blindat në fshatin Domje, në rrugën e Rinasit.

Në të gjitha grabitjet anëtarët e grupit kishin si veshje kamuflazhi, si ato të ushtrisë, ndërsa identifikimi i tyre u bë pas më shumë se 2 vitesh ndjekje.

Tv Klan