Merr fund odiseja 137 emigrantëve të bllokuar prej 5 ditësh pranë brigjeve siçiliane në anijen “Diciotti”, pasi autoritetet italiane nuk lejonin zbarkimin e tyre.

Zbarkimi i tyre përfundoi natën mes shtunës dhe të dielës në portin e Katanias, pas marrëveshjes që autoritetet italiane arritën me qeverinë shqiptare, atë irlandeze dhe kishën katolike.

Sipas marrëveshjes, 20 emigrantë do të strehohen në Shqipëri, 20 të tjerë në Irlandë dhe pjesa tjetër rreth 100 do të mbahen nën kujdesin e kishës katolike dhe autoriteteve të Vatikanit.

Kryeministri italian Giuseppe Conte falenderoi veçanërisht Shqipërinë dhe dy autoritetet e tjerë, përmes një postimi të gjatë në Facebook.

Ndërsa prokuroria e Agrixhentos ka ngritur akuza penale për ministrin e brendshëm Mateo Salvini, për urdhrin e dhënë për ndalimin e ankorimit në portet italiane të anijeve me refugjatë. Sipas prokurorëve, Salvini ka privuar në mënyrë të jashtëligjshme nga liria personale, refugjatët e shpëtuar nga mbytja në ujërat e Mesdheut, nga anija “Diciotti”.

Italia ka ashpërsuar politikat për emigrantët, kryesisht nga vendet afrikane që hyjnë në territorin e saj përmes ujërave të Mesdheut. Qeveria e re e euroskeptikëve të Lëvizjes 5 yjet dhe Lega Nordit kërkon që barra e strehimit të qindra mijëra emigrantëve nga vendet e varfëra të botës, të mos i bjerë vetëm Italisë sipas rregullave të Shengenit, por ata të shpërndahen në mënyrë të drejtë mes vendeve europiane.

Tv Klan