Në regjimin e posaçëm do të jene Arbjon Aliko, Endrit Qyqja, Emiljano Shullazi dhe Genci Balla

4 personazhe të njohur të botës së krimit do të vazhdojnë të qëndrojnë në qelitë e regjimit të posaçëm “41 Biss”. Prokuroria e posaçme duke iu referuar informacionit të marrë nga strukturat e tjera përgjegjëse ligjzbatuese në bashkëpunim edhe me Ministrinë  e Brendshme kërkuan zgjatjen e afatit të regjimit të posaçëm për 4 nga 7, të burgosurit që ishin më herët.

Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë urdhëroi që Arbjon Aliko, Endrit Qyqja, Emiljano Shullazi dhe Genci Balla, të qëndrojnë në qelitë e regjimit të rreptë edhe për një vit tjetër. Ndërkohë ka përfunduar regjimi i posaçëm për Blerim Shullazin, Gilmando Danin dhe Endrit Zelën, 3 anëtarët e grupit Shullazi. Pas marrjes së këtij vendimi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur punën për ekzekutimin e tyre.

Po kush janë 4 të fortët që do të qëndojnë edhe një vit tjetër në qelitë e regjimit të posaçëm? Arbjon Aliko është dënuar me burg përjetë për vrasjen në Qershor të 2015 të efektivit të FNSH-së Ibrahim Basha në Lazarat, gjatë operacionit të RENEA-s për çmontimin e fshatit të kanabisit.

Genci Balla ose imami i vetëshpallur është dënuar me 17 vite burg si pjesë e grupit të xhihadistëve për rekrutimin e disa personave dhe për dërgimin e tyre në Siri. Burimet tregojnë që Balla kishte filluar predikimin edhe tek të dënuar të tjerë prandaj iu nënshtua regjimit të egër.

Ndërsa Emiljano Shullazi dhe Endrit Qyqja janë dënuar në shkallë të parë për krijim të grupit të strukturuar kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Ndërsa prej më shumë se dy vitesh ata vijojnë betejën ligjore në Gjykatën e posaçme të Apelit. Regjimi “41-Bis” shërben për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale.

Klan News