Rritje e ndjeshme edhe në Angli

Shtetet e Bashkuara thyen një rekord të ri botëror për numrin e viktimave ditore në koronavirusi. 1169 të vdekur u regjistruan në 24 orët e fundit, teksa numri i përgjithshëm i viktimave arriti në rreth 6100. Mbi 6 mijë persona iu shtuan listës së të prekurve brenda një dite duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi 245 mijë, që prej nisjes së pandemisë. Vetëm 4.2% e tyre janë shëruar deri më tani. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë ritmet më të larta të përhapjes së pandemisë.

E premtja shënoi një tjetër shifër tepër të lartë viktimash ditore në Spanjë. 932 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, 18 më pak se rekordi absolut i të enjtes. Ky vend numëron tashmë afro 11 mijë viktima në total, ndërsa numri i të prekurve ka arritur në afro 118 mijë më shumë se 5 mijë rasteve të reja të infektimit. Megjithatë edhe Spanja ka nisur të tregojë qëndrueshmëri përsa i përket ritmeve të përhapjes.

766 viktimat e 24 orëve të fundit e kanë çuar në mbi 14 600 totalin e të vdekurve në Itali. Infektimet ditore arritën në mbi 2300, duke e çuar në afro 120 mijë numrin e të prekurve. Kjo e premte konfirmoi edhe një herë se autoritetet italiane e kanë vënë përhapjen e koronavirusit nën kontroll.

Britania e Madhe shënoi shifrën më të lartë ditore të viktimave, 689 dhe numëron aktualisht mbi 3600 viktima dhe rreth 38 mijë të prekur, teksa përhapja po shtohet me ritme të shpejta. Autoritetet parashikojnë që e diela e Pashkës, 12 Prilli, të shënojë edhe kulmin e shpërthimit të pandemisë. Qeveria britanike njoftoi se ka në plan të bëjë 100 mijë analiza ditore për rastet e dyshuara me koronavirus.

Tashmë edhe Gjermania ka më shumë të prekur nga koronavirusi se Kina. Ky vend numëron mbi 85 mijë të prekur prej fillimit të pandemisë, ndërsa numri i të vdekurve arriti në 1111. Kancelarja gjermane, Angela Merkel i dha fund karantinës 20 ditore, pasi rezultoi negative edhe në testin e katërt dhe përfundimtar për koronavirusin. Dyshimet se ajo ishte infektuar lindën pasi mjeku personal rezultoi pozitiv.

I gjithë globi numëron mbi 1 milionë të prekur e më shumë se 50 mijë të vdekur. Të shëruarit përbëjnë aktualisht 21% të totalit të të prekurve.

Tv Klan