Të mërkurën mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve

Shqipëria regjistroi këtë të martë 800 të infektuar me Covid dhe 2 humbje jete, duke u krahasuar me muajin Dhjetor kur vendi ishte në pikun e valës së dytë të koronavirusit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rastet e reja u identifikuan mes 5018 testime të kryera, ndërsa Tirana mban vendin e parë me 160 infektime, e ndjekur nga Shkodra me 134, Durrësi 53, Vlora 44 raste dhe Lezha 39.

Dy pacientë të moshës 62 vjeç nga Lezha dhe 72 vjeç nga Saranda nuk e kanë fituar betejën me Covid. Spitali Infektiv po shkon drejt e ezaurimit të plotë të shtretërve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në të po marrin trajtim 90 pacientë.

Aktualisht në Shqipëri janë 6433 pacientë aktivë me Covid-19 ku i gjithë vendi ka të infektuar aktivë. Shifra e lartë të infektimeve ka bërë që brenda dy ditësh të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e Covid dhe masat e reja. Lajmi është konfirmuar për Tv Klan nga burime zyrtare pranë autoriteteve shëndetësore.

Tv Klan