Në pranga ish-zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe arkitektë

31 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, por edhe ndërtues, inxhinierë e arkitektë kanë rënë në prangat e policisë, pas hetimeve të nisura për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit. Operacioni u zhvillua pasditen e së martës nga policia e kryeqytetit, pasi prokuroria lëshoi 41 urdhra ndalimi, 10 persona janë ende në kërkim. Mes të ndaluarve janë edhe ish-kreu i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta.

“Janë evidentuar 25 institucione, 134 pallate dhe 200 banesa të dëmtuara në Qarkun e Tiranës nga tërmeti i 26 nëntorit. Është arritur në konkluzionin se janë evidentuar dhe identifikuar autorët, që u bënë shkak e pasojë për arrestimet e djeshme. Është marrë në konsideratë dokumentacioni i çdo banese që është shpallur e pabanueshme, për të parë nëse veprimet kanë qenë në përputhje me ligjin apo jo. Ndaj është ngritur akuza për shpërdorim detyre. Nga dokumentacioni janë zbuluar edhe elementë ku janë pasqyruar të dhëna fiktive të ndryshme nga ato të pasqyruara në realitet. Ndaj është edhe vepra për falsifikim detyre, dhe së fundi edhe ajo e ndërtimit të paligjshëm dhe shpërdorimi detyre.”

“Policia i ekzekutoi urdhrat e ndalimit, pavarësisht se ishin shumë, u angazhuan të gjitha strukturat dhe dje u ndaluan 29 autorëve dhe jemi në proces të dy të tjerëve që sapo janë kapur dhe po kryhen veprimet procedural”.

Prokurorët e çështje treguan se në objektet e shpallura të pa banueshme ka mungesë të dokumentacionit dhe në disa raste janë plotësuar me dokumente të falsifikuara.

“Mungojnë studimet sizmologjike, të cilat për një kategori ndërtesash mbi 7 kate është akt i domosdoshëm. Ka mangësi lidhur me aktet e kolaudimit të objekteve. Ka mangësi edhe në aktet e marrjes në dorëzim të shesheve të ndërtimit, procesverbali i gërmimit, betonimit, të lidhjes së hekurit, të provave për betonin dhe hekurin, certifikatat e cilësisë së punimeve.”

“Iu bëj thirrje qytetarëve të kallëzojnë në prokuroi çdo dëmtim të konstatuar në banesat e tyre”.

Prokuroria e Tiranës ka ende nën hetim objekte të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit në zonën e Dajtit, në Bashkinë e Kamzës, si dhe në zonën e Freskut. Edhe për këtë pritet të ketë sërish arrestime.

Tv Klan