Rendohet situata për shkak të reshjeve të shiut

Situata e përmbytjeve në Shkodër vijon të mbetet problematike. Shirat me intensitet të lartë që ranë gjatë natës kanë bërë që situate të jetë e rëndë, kryesisht në zonën e Dajçit dhe Obotit. Sipërfaqja nën ujë u rrit me mbi 500 hektarë të tjerë, duke e çuar në 3580 ha toke bujqësore që është nën pushtetin e ujit.

Rruga Murriqan-Goricë është e përmbytur, ndërsa në Dajç niveli i ujit është rritur dhe po rrezikon edhe banesat. Rruga e Obotit nuk kalohet as nga mjetet e ushtrisë.

Përmbytjet u rikthyen gjatë mbrëmjes edhe në rrugët e Durrësit. Në disa akse ka edhe rrëshqitje dherash. Reshjet e shiut kanë sjellë prurje të mëdha në kaskadën e Drinit.

Sipas raportimeve të fundit të KESH niveli i liqenit të Fierzës ka mbërritur në 192.8 metra, ndërkohë që niveli maksimal i lejuar është 196 metra.

Tv Klan