Ish-ministri Ilir Beqaj, u mor i pandehur nga SPAK edhe për dosjen tjetër atë të njohur për publikun, si SASPAC, ku u hetuan abuzimet me fondet e kësaj agjensie, që koordinonte fonde të BE-së.
Atij iu komunikua në përfundim të hetimeve se i janë ngritur 4 akuza, ajo e përfshirjes në korrupsion gjatë drejtimit të kësaj agjensie, mosdeklarimit të pasurisë, mashtrim me pasoja të rënda dhe shkelje të barazisë në tendera.
Bashkë me Beqajn, të pandehur në këtë dosje janë marr edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe Ermal Kurtulaj, i njohur si njëri i afërt i Beqajt dhe punonjës në SASPAC.
Hetimet për këtë çështje, nisën në shtator 2023, kohë kur SPAK vuri në përgjim Kurtulajn dhe njerëz të tjerë të afërt të ish-ministrit. Përgjimet treguan se si nëpërmjet faturave fiktive, fonde të kësaj agjensie kanalizoheshin drejt restorantit që drejtohej në hije nga Beqaj.
Ky i fundit i ka mohuar akuzat e SPAK në disa reagime publike dhe qëndron në qeli që prej 4 Korrikut 2024.
Nga ana tjetër Beqaj është marr i pandehur edhe për dosjen ku u hetua koncensioni i Sterilizimit për dyshimet se duke bashkëpunuar si grup kriminal me ish-vartësin e tij në ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rjepajn dhe biznesmenin Ilir Rapaj, kanë vjedhur duke shpërdoruar detyrën.
Tv Klan